“Nuk jemi rastësisht këtu”, futbollisti i Apolonisë: Thyej tabunë, dua të shënoj në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2020 | 20:50

“Nuk jemi rastësisht këtu”, futbollisti i Apolonisë: Thyej tabunë, dua të shënoj në derbi

Me origjinë kurbinase, por pjesë e shkollës fierake të futbollit, Redon Mihana është prej 3 sezonesh ndër lojtarët kyç të Apolonisë. U rikthye te goli pas 5 muajsh e 3 ditësh me dopietën ndaj Besës dhe ka arritur kuotën e 7 realizimeve gjatë këtij sezoni. Mesfushori i cili është edhe pjesë e Kombëtares U-21, e nis komentin nga ecuria e Apolonisë.
Mihana
“Është një sezon mbresëlënës, me ecuri të jashtëzakonshme. Në fillim pakkush mund të na mendonte në këto pozita, madje edhe vetë mund të kemi qenë dyshues për kaq diferenca. Por kjo Apoloni është modeli më i mirë i punës dhe sakrificës në grup. E mbyllëm para pandemisë me 2 barazime dhe mbetëm 2 pikë pas Pogradecit, ndërsa tani, pas 3 ndeshjeve të rifillimit të kampionatit, jemi 7 pikë para këtij ekipi dhe 5 në avantazh ndaj Lushnjës”, shprehet fillimisht ai.

KONTESTIMET – Fitore të kontestuara të Apolonisë, një me rezultat të ekzagjeruar 8-5 kundër Besës, nuk e lëkundin mendimin e Mihanës. “Nuk jemi rastësisht këtu. Ndodhemi 5 pikë përpara vendit të dytë dhe nuk jemi as barazim me ta apo as +1 pikë! Dyshime për diferencën dhe ecurinë, sepse fitoret tona kontestohen nga rivalët?! Kemi humbur edhe ne ndaj Lushnjës e Pogradecit dhe kemi gjykuar se na janë bërë padrejtësi në ato 3 humbje, por kemi vazhduar përpara, duke gjetur forca për të qenë këtu ku jemi. Kemi fituar ndaj rivalëve tanë, pa le të vazhdojnë të ankohen ata. Një garë nuk fitohet me ankesa dhe akuza kot së koti, por në fushë”, deklaron mesfushori.
Pogradeci-Lushnja
TABU – Mihanës i mungon 1 gol ndaj Lushnjës, pasi nuk ka shënuar kurrë kundër lagunarëve në derbi. “Lushnja është një ekip shumë i mirë, me lojtarë përvoje dhe rivali ynë më i fortë. Mbetet një derbi i veçantë. Nuk mendoj se kemi presion në këtë ndeshje, përkundrazi, e ka Lushnja, sepse është në garë për vendin e dytë me Pogradecin. Po, e pranoj që e dua golin ndaj tyre, pasi ende nuk e kam shijuar në një derbi të tillë”, e përmbyll për gazetën Mihana i Apolonisë.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"