“Nuk jemi në lagje”, Shkëmbi e nis me kritika te Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2021 | 16:30

“Nuk jemi në lagje”, Shkëmbi e nis me kritika te Dinamo

Dinamo vijon përgatitjet nga Pogradeci me intensitet të lartë, teksa trajneri Bledi Shkëmbi ka praktikuar nga dy seanca në ditë. Nën kujdesin e përgatitësit atletik, Daniele Nervi, si dhe atij fizik, Françesko Vitobello, blutë po marrin ngarkesën e duhur. Gjithçka po kryhet në fushën e stadiumit “Gjorgji Kyçyku”.

Bledi Shkembi

“DOMINON” SLLAVISHTJA Interesante është kur shikon se komunikimi midis disa lojtarëve shqiptarë dhe sllavë bëhet më së miri në gjuhën sllave. Kjo pasi emra si kapiteni Agim Ibraimi dhe mbrojtësi Besir Demiri janë shqiptarë të Maqedonisë, e njohin mirë këtë gjuhë dhe kanë mundësinë të orientojnë dhe t’ua bëjnë më të lehtë komunikimin lojtarëve sllavë. Madje hera-herës është parë edhe trajneri Shkëmbi të flasë gjuhën sllave me lojtarët malazezë dhe serbë. Kujtojmë që te Dinamo ka lojtarë nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, pikërisht emra si Aleksandar Sofranak, Aleksandar Isaevski dhe Goran Siljanovski.

STËRVITJA Dinamo zhvilloi ditën e tretë të fazës përgatitore në qytetin e Pogradecit me dy seanca, e para në orën 08:30 dhe tjetra në orën 16:45. Seanca e mëngjesit ishte më pak e ngarkuar, kjo edhe për shkak të temperaturave të larta që po shoqërojnë këto ditë korriku. Seanca e dytë nisi si gjithmonë me disa vrapime të lehta rreth fushës dhe më pas me ushtrime teknike dhe streçing sa për nxehje. Fokusi ishte përsëri te prekjet sa më të pakta të topit me sa më pak takime dhe intensiteti në këtë pjesë ishte goxha i lartë ku dëgjoheshin tepër britmat e stafit teknik. Në një moment trajneri Shkëmbi kritikoi sulmuesin Bardhi duke i thënë: “Kështu është kur s’e ke mendjen te topi”. Sot (dje) u dëgjua që disa prej lojtarëve i drejtoheshin duke i thënë “Mister” zëvendëstrajnerit italian Vitobelo.

Një risi që vlen për t’u theksuar është se që prej fillimit të stërvitjeve, një kameraman filmon të gjithë procesin stërvitor, video këto që do t’i shërbejnë Shkëmbit dhe stafit për të parë ecurinë e lojtarëve përpara se të fillojë kampionati dhe mbase do të jenë të qartë për formacionin që do të aplikojnë kur të nisin ndeshjet zyrtare. Patrik Bardhi duket se ka pësuar një dëmtim të lehtë në këmbën e majtë, pasi në pjesën më të madhe të stërvitjes ai punonte me fizioterapistin e klubit. Në fund të stërvitjes Shkëmbi u interesua sërish për Bardhin duke i thënë: “Bardhi si dukesh?”. Ai iu përgjigj duke i thënë: “Më mirë profe”.

Ra në sy edhe ndarja në dy grupe e lojtarëve, ku ata më të rinj në moshë në pjesën më të madhe të stërvitjes u stërvitën nga zëvendëstrajneri i dytë i klubit. Një moment Shkëmbi u dëgjua tek i bërtiti me ton të lartë lojtarit Shala duke i thënë “Shala shpejt!”, pasi ky i fundit po shkonte të merrte një jelek në mënyrë të ngadaltë. Si gjithmonë, stërvitja u mbyll me një ndeshje kontrolli, ku Shkëmbi i kërkoi skuadrës që të bënin vetëm lojë nga krahët. Pati dhe shumë kritika për lojtarët në ndeshjen brenda grupit, madje në një moment Shkëmbi u nervozua dhe ndaloi lojën për t’iu drejtuar Plakut ku i tha: “O Xhoel, ku je këtu ti mo, në lagje?”. Veterani Ibraimi pas përfundimit iu drejtua lojtarëve të rinj në moshë që të largojnë nga fusha portën lëvizëse.

REDI DANDALLAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"