“Nuk jemi më ekip për titull”, Xhambazi: Ecuri e paralajmëruar, Skënderbeut të mos i ushtrohet presion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2019 | 14:25

“Nuk jemi më ekip për titull”, Xhambazi: Ecuri e paralajmëruar, Skënderbeut të mos i ushtrohet presion

Skënderbeu po vuan. 3 humbje dhe 11 gola të pësuar i kanë futur bardhekuqtë në vorbullën e mbijetesës. Xhimitraq Xhambazi mendon se kjo ecuri ishte e paralajmëruar.

xhambazi

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, legjenda e futbollit korçar thekson se ndryshimet e shumta në organikë dhe merkatoja e nisur me vonesë e kanë dëmtuar ekipin. Ish-sulmuesi nuk e kishte menduar kurrë që do vinte kjo ditë për skuadrën që ka bërë diktatin në dekadën e fundit në futbollin shqiptar.

“Shumë humbje dhe shumë gola të pësuar janë ato që shqetësojnë te Skënderbeu. Të pësosh 10 gola në 3 ndeshje, nuk është normale për një ekip që deri dje luftonte për titull dhe ishte duke vendosur diktatin në kampionatin tonë. Mund të them se e gjitha kjo është si pasojë e ndryshimeve të shumta që kanë ndodhur në verë.

Mbrojtja e riformatuar kërkon shumë kohë për të përvetësuar idetë e lojës së pjesës tjetër të grupit. Këtu sipas meje qëndron problematika e këtyre rezultateve. Nga ana tjetër, mund të them se dy humbjet ndaj Bylisit dhe Vllaznisë ishin të ekzagjeruara, për të mos u ndalur tek episodet. Na kanë bërë të harrojmë atë dënim që i është dhënë klubit. Për mendimin tim, kjo duhet të jetë pikënisja e çdo arsyetimi të mundshëm”, u shpreh fillimisht Xhambazi.

Skenderbeu

Situata – Sipas ish-sulmuesit legjendar, jep apel që Skënderbeut të mos i ushtrohet presion. Ekipi duhet lënë i qetë sipas tij me qëllim që të marrë formën e plotë pas këtyre ndryshimeve. “Ajo që unë vërej, është fakti se sa herë që ne kërkojmë më shumë nga ky ekip, ai çedon. Nuk duhet të ushtrojmë presion dhe të harrojmë atë Skënderbe të dy sezoneve më parë. Nuk jemi në të tilla kushte që të pretendojmë se do të jemi ne në garë për titull.

Të mundohemi që të hedhim pas krahëve këtë moment të keq dhe të shpresojmë që Gjykata Federale të flasë në favorin tonë. Kjo është ajo tek e cila duhet të kemi shpresë të gjithë. Një ekip i tillë është i ndërtuar në limite dhe me emergjencë, prandaj ta lëmë të qetë trajnerin të punojë për të dhënë më të mirën e vet”, përfundoi Xhambazi.

Llazi Saro – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"