“Nuk jemi ende Franca apo Gjermania”, Bonuçi karikon Italinë: Jemi të rinj, na duhet ende kohë të fitojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2019 | 19:55

“Nuk jemi ende Franca apo Gjermania”, Bonuçi karikon Italinë: Jemi të rinj, na duhet ende kohë të fitojmë

Roberto Mançini nuk ka dhënë asnjë indi cie për formacionin, por Leonardo Bonuçi nuk ka ndërmend që të pushojë, pasi për kapitenin bluza e Italisë ka nevojë për sakrifica, që të ringrihet sa më shpejt në vendin që i takon. 

bonuci

Dhe pikërisht për këtë arsye, qendërmbrojtësi i Juventusit dhe i përfaqësueses kërkon të ulë euforinë dhe shtyn të gjithë që të vazhdojnë të luftojnë në fushë, edhe pse ndaj Armenisë në Palermo shkohet me sigurinë e kualifikimit dhe atë të vendit të parë në grup.

“Nëse kemi prerë biletën për në ‘Euro 2020’, nuk do të thotë se kaq mjaftoi që të kthehemi mes të mëdhave të Europës. Në këto pozita do të jemi vetëm nëse do të vazhdojmë ta tregojmë ndeshje pas ndeshjesje se jemi ngjitur në atë shkallë që duhet për të konkurruar me ato përfaqësuese që në vitet e fundit kanë bërë diferencën në europianë e botërorë si Franca, Gjermania, Spanja dhe Anglia. Nuk jemi ende në nivelin e këtyre fuqive të viteve të fundit, pasi këto 4 kombëtare që përmenda kanë jo vetëm shumë lojtarë në dispozicion, por në anën e tyre kanë pasur edhe një kohë të gjatë për të konsoliduar dhe për të pasur në dispozicion një grup lojtarësh që luajnë së bashku prej shumë vitesh dhe kanë kolauduar shumë ingranazhe.

Në këtë aspekt, ne kemi shumë më pak sesa Franca, Gjermania, Spanja dhe Anglia. Na mungon pikërisht kjo, eksperienca për të provuar për t’i shkuar deri në fund diçkaje të rëndësishme siç është një Europian, prandaj na duhet që të vazhdojmë të luftojmë të gjithë, në çdo ndeshje, në çdo mundësi që na jepet, për të qenë sa më të përgatitur për verën e ardhshme, – shprehet Bonuçi, i cili pret me padurim rikthimin e krahut të tij të djathtë. – Si ndihem si kapiten? Nëse unë jam kapiteni, kjo është vetëm si rrjedhojë e mungesës së Xhorxhos. Kielini është kapiteni ynë dhe unë e pres sa më shpejt që të jetë e mundur, për t’i dorëzuar edhe shiritin që i takon.

Dëmtimi i tij ishte një moment i vështirë për të gjithë ne, por në të njëjtën kohë ishte edhe i rëndësishëm. Kjo situatë, kjo përgjegjësi që m’u dha ndezi brenda meje diçka më shumë, pasi ka pasur disa raste kur nuk kam dhënë maksimumin, kur i nevojitesha Italisë, Juventusit, por edhe Milanit. Gjithsesi, tani jam 32 vjeç dhe dua që të kontribuoj sa më shumë edhe në këshillimin e këtyre djemve të rinj dhe të talentuar që kemi sot në kombëtare, për ta kthyer Italinë aty ku i takon kësaj fanelle”, tha Bonuçi.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"