“Nuk jemi demoralizuar, luajmë për pikët në Peqin”, Canka karikon ekipin: Jemi ende në garë, fitojmë me Egnatian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2021 | 9:31

“Nuk jemi demoralizuar, luajmë për pikët në Peqin”, Canka karikon ekipin: Jemi ende në garë, fitojmë me Egnatian

Tomori nuk dorëzohet. Edhe pse barazuan me Pogradecin dhe iu larguan me 4 pikë kreut, transferta me Egnatian vjen si me porosi. Një fitore në Peqin do t’i shkurtonte diferencat dhe do t’i kthente në lojë për misionin madhor. Koha e premtimeve ka mbaruar dhe tashmë beratasit garantojnë se do të flasin në fushë. E kanë të qartë se kundërshtari është i vështirë për t’u kaluar, pasi jo më kot kryeson prej javësh Grupin B, por kjo nuk i demoralizon.

Tomori Canka

Për të karikuar grupin para këtij 90- minutëshi, mendon kapiteni. Mikel Canka nuk i kursen elozhet për rrogozhinasit, por në anën tjetër mendon se skuadra e tij ka potencialin për të kapur elitën. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, shënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë evidenton se asgjë nuk ka mbaruar dhe ka ardhur koha që të tregojnë se kush është Tomori. “Kemi një ndeshje të rëndësishme këtë javë, e cila mund të them që vjen si me porosi. Vërtet u larguam nga kreu pas asaj ndalese në shtëpi, por direkt na vjen shansi për të shkartuar diferencat. Përballë kemi një kundërshtar vërtet të fortë, që kryeson grupin dhe meriton respektin e vlerësimin tonë maksimal.

E kemi të qartë këtë, por ne jemi përgatitur si duhet dhe jemi gati për të treguar se kush është Tomori. Do të shkojmë në këtë përballje shumë të vendosur për të luajtur bukur dhe të marrim pikët e plota. Unë, si kapiten, në emër të skuadrës deklaroj që te Tomori nuk ka vend për demoralizim pas barazimit me Pogradecin. Kjo është shumë e qartë dhe po kaq e thjeshtë për t’u kuptuar, pasi ne jemi në vendin që duhet dhe do të bëjmë gjithçka për t’u ngjitur në elitë.

Kemi moralin e lartë dhe besojmë shumë te vetja. Gjithsesi, këtë duhet ta tregojmë më së miri në fushë dhe jo me deklarata, kështu që do të japim më të mirën tonë për të marrë maksimumin nga kjo sfidë”, përfundoi autori i 9 golave me fanellën e beratasve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"