“Nuk je me Tiranën këtu!”, Sherri gjakoset pas penalltive, Daja i bërtet Çinarit. Ja pikantet e Laçi-Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2021 | 23:51

“Nuk je me Tiranën këtu!”, Sherri gjakoset pas penalltive, Daja i bërtet Çinarit. Ja pikantet e Laçi-Partizani

Takimi mes Laçit dhe Partizanit u mbyll me shifrat 0-0, por pas gjuajtjeve të penalltive, ishin kurbinasit ata që kaluan në gjysmëfinale, me shifrat 4-3. “Panorama Sport” ju sjell pikantet e këtij takimi.

laci partizani

* Çinari dhe Asani kundërshtojnë njëri-tjetrin se cili do ta gjuajë një goditje dënimi, ndërsa Daja i acaruar u bërtet: “Do ta gjuajë Mala ee, o Çinar!”

* Moment paniku te pankinat, stafi teknik e deri te tribuna qendrore, pas rrëzimit të Nuabuezes në fushë, ku mbeti i shtrirë për disa sekonda. Sulmuesi ishte pa ndjenja për disa çaste dhe Belica, Hakaj e të tjerë nxituan tek ai, duke njoftuar dhe stafet mjekësore ndërkohë. Pasi mori ndihmën e të dyja stafeve mjekësore, sulmuesi vendosi të rikthehet në fushë. E habitshme për të gjithë dhe ndoshta edhe e rrezikshme, pasi ishte një rrezik i frikshëm dhe pati edhe shenja epilepsie.

* Një mbështetës i Laçit dëgjohet nga tribuna: “Hajde Barcelona hajde”, referuar një aksioni të bukur të kurbinasve.

* Sërish dëgjohen thirrje nga tribuna të mbështetësve të Laçit, kësaj radhe e kanë me Jasir Asanin: “Ka mbaruar ky Asani, ka mbaruar. Merrjani topin!”

* Meta nuk i akordon penallti Çinarit pas një shtyrjeje të Ignjatoviçit dhe Daja e ka me kryesorin Meta: “Ooo, ishte penallti ajo, a e shikon”.

* Murataj rrëzohet në mesfushë dhe Meta akordon faull për Partizanin. Në këtë moment, dëgjohet një thirrje nga tribuna: “Nuk je në Tiranë këtu, o Murataj”.

* Në fundin e pjesës së parë, Asani e tepron dhe tenton një gjuajtje nga një distancë e largët. Daja i tërheq vëmendjen, ndërsa mesfushori kthehet nga stoli dhe me dorën lart kërkon ndjesë.

* Dy presidentët e skuadrave, Pashk Laska dhe Gazment Demi, e ndoqën ndeshjen së bashku pranë njëri-tjetrit në tribunën kryesore.

* Pas disa thirrjesh “Oo Çinar, oo Çinar”, Daja i kërkon sulmuesit të afrohet. Shkodrani bën shumë metra dhe afrohet te trajneri i tij, duke marrë udhëzimet e radhës. Qartazi Daja nuk ishte i kënaqur me ndeshjen e Çinarit deri në minutën e 60-të.

* Shpëtim Duro, nga ana tjetër, e ka me mesfushorin Shehu: “O Julian, po t’i merr gjithë topat kundërshtari…”.

* 10 minuta nga fundi i takimit, pati tension mes dy stolave të skuadrave. Pas përplasjeve dhe shkëmbimeve të fjalëve, u afruan edhe forcat e policisë, që qëndruan mes dy pankinave për minutat e mbetura të sfidës.

* Lodhja u ndie edhe te gjyqtari Kridens Meta, që pati një problem në këmbën e majtë pas përfundimit të 90 minutave. Stafi mjekësor i Laçit i erdhi në ndihmë.

* Para se të gjuanin penalltitë, vëmendja ishte te dy portierët, Alen Sherri dhe Alban Hoxha. Shpëtim Duro pati një bisedë të shkurtër me Sherrin, ndërsa me Alban Hoxhën komunikoi Ilir Bozhiqi.

* Laçi fitoi me penallti dhe gjatë festës, u gjakos portieri Sherri, që u përplas me një nga shokët e skuadrës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"