“Nuk jap siguri për ndeshjen me Laçin”, Sinan Idrizi: Unë nuk organizoj dot takimin, s’po gjej… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2019 | 23:18

“Nuk jap siguri për ndeshjen me Laçin”, Sinan Idrizi: Unë nuk organizoj dot takimin, s’po gjej… (E PLOTË)

Flamurtari-Laçi rrezikon dështimin. Alarmin e jep administratori Sinan Idrizi, i cili paralajmëron 4 ditë para se të luhet ndeshja se nuk po merr dot masat organizative për zhvillimin e saj. Ai saktëson se nuk po gjen dot 100 policë privatë për mbarëvajtjen e kësaj përballjeje, ku klubi vlonjat është pritës.

Idrizi-750x430

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i klubit saktëson se në qytetin e Vlorës nuk i bën dot bashkë kaq stjuartë dhe zgjidhja e vetme do të ishte rikthimi i policisë në stadium. Nëse deri më tani këtë problem e ka zgjidhur nëpërmjet miqve dhe njohjeve, tani po has pengesa.

“Problemi më i madh është se ne nuk organizojmë dot më ndeshje në Vlorë, sepse unë nuk kam ku të gjej polici private. Ligji kërkon një numër të konsiderueshëm me uniforma të policisë private, por nuk të vjen njeri… Nuk po i gjejmë dot. Ndeshja e radhës luhet në Vlorë me Laçin, unë nuk mund ta organizoj. Nuk kam ku t’i gjej policët. Deri tani pata mirëkuptimin me këta miqtë e mi që kanë policitë private dhe na ndihmuan secili me 4-5 efektiva, tani nuk kam ku t’i gjej më. Nuk ka. Ligji thotë duhet që të jenë 100 efektivë. Ku t’i gjej unë?!” thotë fillimisht numri një i klubit të kuqezinjve.

idrizi

NGËRÇI – Sinan Idrizi e quan katastrofë situatën me të cilën po haset. Ai thotë se ndodhet përballë një ngërçi, që s’po i jep dot zgjidhje. Policët privatë nuk e marrin dot përsipër zhvillimin e ndeshjeve me efektivët që kanë dhe sipas administratorit nxjerrin si justifikim heqjen e licencës.

“Të gjithë këta kanë një problem dhe na thonë se nuk e marrin përsipër sepse u hiqet licenca. Pa anashkaluar problemin thelbësor që kemi ne, që mund të kemi dy, tre, apo pesë të meta, por kjo është një katastrofë”, u shpreh ai.

ZGJIDHJA – Sinan Idrizi deklaron se duke nisur nga ndeshja me Laçin, duhet të zgjidhet një herë e mirë kjo problematikë. Edhe pse dikur ka qenë kundër policisë së shtetit në stadiume, tashmë ka ndryshuar “kurs”. Administratori thotë se është i detyruar të paguajë për policët privatë 5 milionë lekë të vjetër për një ndeshje edhe pse ata nuk i plotësojnë kushtet. “Nga ndeshja e radhës, ne duhet të gjejmë një rrugë.

Në mbledhjen e fundit që patëm, ju e dini që unë kam qenë kundër policisë në stadium, për një stadium civil, por me këto kushte që kërkojnë këta që na thonë nuk kemi persona, nuk kemi ku gjejmë, nuk na del kjo, nuk na del ajo, atëherë nuk dimë se çfarë të bëjmë.

I bie që në një ndeshje ne të harxhojmë 5 milionë lekë të vjetër për të paguar këta. Do t’i paguajmë, por më skandaloze është se asnjë nga këto kompani të ruajtjes fizike nuk e plotëson kushtin. Po të shikosh në të gjitha stadiumet, rrallë mund të gjesh 100 stjuartë. Ku t’i gjejmë 100 në Vlorë ne? Unë jam kundër policisë në stadium, por do gjetur një rrugë. Kam pyetur edhe në qytete të tjera dhe të gjithë këtë mendim me mua ndanin”, përfundon administratori i Flamurtarit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"