Nuk janë në planet e Dajës, dy mbrojtësit e Flamurtarit drejt largimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2018 | 17:45

Nuk janë në planet e Dajës, dy mbrojtësit e Flamurtarit drejt largimit

Ditmar Bicaj dhe Franc Veliu janë drejt largimit nga Flamurtari. Dy qendërmbrojtësit mësohet se nuk janë në planet e trajnerit të ri Ilir Daja, edhe pse në ditët e kaluara u përfol për një rinovim të mundshëm të tyre. Pavarësisht se ata kanë takuar administratorin Sinan Idrizi, ky i fundit e ka kaluar “topin” te trajneri Daja.

veliu dhe bicaj

Burime të sigurta në klub tregojnë se kreu i pankinës ka preferenca të tjera për qendrën e mbrojtjes. Kësisoj, Bicaj dhe Veliu kanë nisur të mendojnë për mundësi të tjera në karrierën e tyre. Deri më tani, pesë lojtarë kanë rinovuar zyrtarisht me Flamurtarin. Bëhet fjalë për Goran Siljanovskin, Muhamed Useinin, Emiljano Mustën, Artim Pollozhanin dhe Tomislav Bushiçin.

Në ditët e ardhshme klubi do të konkretizojë marrëveshjen edhe me lojtarë të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e skuadrës në sezonin e kaluar dhe janë në planet e Dajës. Ndërkohë, në klub nuk kanë konfirmuar ende asnjë afrim. Edhe pse përfliten disa emra lojtarësh të njohur të kampionatit shqiptar, nuk ka ende diçka konkrete.

flamurtari

Flamurtari interesohet edhe për mesfushorin e larguar nga Partizani, Idriz Batha. Trajneri Daja e njeh mirë lojtarin dhe e ka në planet e tij për ta transferuar në Vlorë. Po ashtu në listë janë edhe disa lojtarë të Skënderbeut si Tefik Osmani, Gjergji Muzaka dhe Gledi Mici. Me shumë mundësi nesër ose të hënën pritet të ketë zhvillime në këtë drejtim. Gjasat janë që prezantimet e afrimeve të nisin pikërisht me lojtarë që kanë mbyllur sezonin me Skënderbeun

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"