“Nuk janë kafenetë më të rëndësishme se futbolli”, trajneri i Besës: Mjaftojnë 3 javë, qeveria duhet të japë OK-in

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2020 | 12:20

“Nuk janë kafenetë më të rëndësishme se futbolli”, trajneri i Besës: Mjaftojnë 3 javë, qeveria duhet të japë OK-in

Besa duhet që të rinisë stërvitjet më 18 maj, e megjithatë Ndriçim Kashami i druhet qeverisë. Ai shpreson që vendimi i marrë nga FSHF-ja të marrë formë zyrtare. Në një bisedë më “Panorama Sport” ai kujton se futbolli është shumë herë më i rëndësishëm se kafenetë dhe autoshkollat.

Kashami

“Ne e kemi marrë të mirëqenë datën që ka vendosur federata, por deri më sot nuk ka ende një OK nga qeveria. Një përgjigje zyrtare do të na lejonte zyrtarisht pa penalizime të riktheheshim në terrenet tona. Më habit kjo vonesë, pasi kudo në Europë tashmë janë përcaktuar modalitetet dhe datat. Nuk besoj se futbolli është më pak i rëndësishëm se kafenetë, restorantet, autoshkollat e makinave apo akoma më keq fasoneritë, ‘call center’-at për të cilat qeveria flet përditë. Na duhet patjetër një përgjigje, që të dimë se çfarë do të bëjmë.

Nuk flitet vetëm 25 futbollistë dhe staf, por për qindra mijëra tifozë në të gjithë Shqipërinë që mezi presin që të paktën të shohin futboll. Psikologët që këshillojnë qeverinë, duhet ta bëjnë të qartë se është futbolli ai që ndikon fuqishëm më shumë se kushdo e në mënyrë masive në zbutjen e stresit. Prandaj, apeloj që sa më shpejt qeveria të vendosë zyrtarisht për futbollin”, tha fillimisht trajneri i kavajasve.

SITUATA – Duke u renditur në 4 vendet e para të Grupit B, sipas kalendarit, për Besën sezoni do të rinisë më 14 qershor. Nëse realisht stërvitjet startojnë të hënën e 18 majit, atëherë sipas teknikut koha është e mjaftueshme. “Nëse e marrim të mirëqenë se Besa rinis sezonin më 14 qershor, atëherë besoj se 3 javë do të na mjaftonin për të arritur disi formën. Nga përvoja ime si trajner, jam koshient se forma fizike mund të arrihet, përtej rrezikut të dëmtimeve.

besa

Fati i Besës është mosha tejet e re e shumicës së lojtarëve, të cilët e kanë ruajtur disi gjendjen fizike. Më shumë se 70% e lojtarëve kanë kontrata 3- vjeçare, çfarë na bën të punojmë të qetë dhe me synimin momental, por edhe perspektivën. Shpresoj që të nisim, sepse, e përsëris, do të mjaftonin stërvitjet në grup që edhe psikologjikisht të rinjtë 18-20-vjeçarë të çliroheshin”, përfundoi Kashami.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"