Nuk janë dorëzuar për zonën Europiane, Kukësi tenton kthesën që në sfidën ndaj Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2021 | 9:07

Nuk janë dorëzuar për zonën Europiane, Kukësi tenton kthesën që në sfidën ndaj Skënderbeut

Kukësi nuk është dorëzuar ende për Europën. Edhe pse me plot 11 pikë më pak se vendi i tretë, që të jep të drejtën e pjesëmarrjes në Ligën e Konferencës (kompeticioni më i ri i UEFA-s), skuadra e Mirel Josës do të provojë çdo mundësi në këto 11 javë kampionat për të qenë në zonën europiane.

KUKESIIII

Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë ishte si një goditje për verilindorët dhe tani shansi i vetëm për të mbetur në garë deri në fund është kampionati. Humbja e fundit ndaj Bylisit në Ballsh, edhe pse me polemika për gjykimin, ku Kukësit iu mohua një penallti në fund që mund ta çonte rezultatin 2-2, e ka ndërlikuar edhe më shumë situatën në kampin verilindor. Megjithatë, Mirel Josa beson se duke pasur edhe 33 pikë në lojë, gjithçka mbetet e hapur për zonën e UEFA-s.

Natyrisht, përballja e radhës ndaj Skënderbeut, që do të luhet më 3 prill në stadiumin “Elbasan Arena”, bëhet e domosdoshme për t’u fituar nga Kukësi. Josa debutoi në pankinën e bluve pikërisht me një triumf spektakolar 0-4 në Korçë ndaj skuadrës ku fitoi gjithçka si trajner. Këtë herë Kukësi i tij pret Skënderbeun që lufton për mbijetesë dhe do patjetër pikë për të shpresuar te zona “play out”.

Një tjetër hap fals i verilindorëve do të fuste në krizë totale ekipin, prandaj dhe Josa kërkon të mbajë në tonus skuadrën, në mënyrë që të provojë deri në fund shanset. Kukësi mund të përfitojë edhe nga moslicencimi i ndonjë klubi në Europë, prandaj dhe skuadrës i është bërë e qartë se duhet të marrë maksimumin në ndeshjet e mbetura, për të mos mbetur asnjë pishman.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"