“Nuk jam penduar që u largova nga Liverpuli”, Kutinjo: I prisja sukseset e ish-shokëve të mi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2020 | 17:49

“Nuk jam penduar që u largova nga Liverpuli”, Kutinjo: I prisja sukseset e ish-shokëve të mi

Bilanci i tij është shqetësues: në fazën e dytë, Filipe Kutinjo ka luajtur vetëm një ndeshje si titullar në Bundesligë me Bajernin dhe trajnerit Hansi Flik 27-vjeçari i është dashur kryesisht në stol. Rendimenti i sulmuesit: 1 asist në 4 ndeshje. 

kutinjo

Dobët për një lojtar që rekordmenëve u duhet të paguajnë 120 milionë euro për ta blerë nga Barça në verë. Por edhe në 90 minutat që braziliani ka luajtur titullar, në çerekfinalen e Kupës kundër Hofenhaimit, ai zhgënjeu.

“Kutinjo duhet të shkëlqejë tani”, thoshte legjenda Xhovani Elber gjatë një interviste për “AZ” pak ditë më parë. Ndërsa vetë ai, në një intervistë për “Sports Illustrated” shpjegon se çfarë nuk po shkon gjatë huazimit të tij në Mynih:

“Po mësohemi me një kulturë të re, por familja ime dhe unë jemi të lumtur”. Ai nuk përmend deklarata lamtumire, edhe pse Bajerni ka pak shanse ta transferojë përfundimisht, ndërsa klubi mendon edhe për të ardhmen e lojtarëve të tjerë të huazuar, si Odiozola dhe Perisiç. Barça është gati që të ulë pretendimet e saj për Kutinjon nga 120 mln deri në 80 milionë euro, por kjo sërish mund të mos mjaftojë.

kutinjoo

Kutinjo tregon gjatë intervistës së tij edhe njeriun më të afërt në Mynih. “Tiago më ndihmon shumë. Përveçse është një lojtar i shkëlqyer, është edhe një njeri i tillë”. Edhe për trajnerin Flik, braziliani rezervon fjalët më të mira: “Ai punon shumë fortë. Falë tij, skuadra po luan mirë dhe kjo është më e rëndësishmja”.

LIVERPULI – “Qëndro këtu dhe ata do të ndërtojnë një statujë në nderin tënd. Shko diku tjetër, te Barcelona, Bajerni apo Reali dhe atje do të jesh thjesht një lojtar i radhës. Këtu mund të jesh diçka më shumë”, ishte këshilla që Jyrgen Klop i tha në janarin e 2018-ës për ta bindur që të refuzonte këmbënguljen e Barcelonës për t’u larguar nga “Anfield”.

Por Kutinjo nuk e dëgjoi dhe sot thotë se nuk është penduar për zgjedhjen e tij: “Liverpuli është duke fluturuar dhe nuk më surprizon. E kemi parë edhe sezonin e shkuar kur fituan Championsin prandaj nuk jam i befasuar, sepse ata kanë një skuadër dhe trajner fantastik.

Kutinjo

Jam shumë i lumtur për ta, sepse kam shumë miq atje, ishshokë skuadre dhe jam shumë i gëzuar për ta. Kaq! Nuk shoh kurrë pas. Unë mora një tjetër rrugë dhe tani jam në një tjetër rrugëtim, si kushdo tjetër. Jam 100% i përqendruar për të realizuar ëndrrat e mia. Jam i lumtur me atë që bëra në të shkuarën dhe shoh vetëm përpara.

PËRGATITI: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"