“Nuk jam diktator, madje do t’i jap premio Flamurtarit”, Idrizi nuk do të kursehet, por paralajmëron: Vlora nuk pret më!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2022 | 14:17

“Nuk jam diktator, madje do t’i jap premio Flamurtarit”, Idrizi nuk do të kursehet, por paralajmëron: Vlora nuk pret më!

Në Vlorë e shikojnë si moment kthese, fitoren me Turbinën, por Sinan Idrizi e quan detyrim dhe pret më shumë nga skuadra. Për “Panorama Sport”, administratori thekson se ka plotësuar çdo kërkesë të stafit dhe tani do vetëm rezultate. Kreu i klubit thekson se Vlora nuk pret më dhe as tifozët, ndaj rikujton kodin e famshëm “2023”:

SINAN IDRIZI

“Fitoret janë detyrim. Të gjithë i dinë tashmë objektivat tanë dhe kodin tonë. Ne kemi plotësuar çdo kërkesë që kanë pasur këta, tani duhet të punojnë dhe të arrijmë aty ku duam të gjithë, ku duan tifozët dhe ku do Vlora. Nuk pret më qyteti. Të gjithë i dinë detyrat që kanë, ndaj duhet që t’i realizojnë, nuk pret më koha.

Të shpresojmë tani që do të ecin në rrugën e duhur”.

PREMIO – Idrizi nuk kursehet as këtë vit. Për fitoret do të ketë premio, por nuk e kalon pa batutë këtë pjesë. “Këta kur humbasin marrin rrogën, kur fitojnë marrin rrogën plus premio. Kjo është gjëja më e bukur e futbollit. Premio? Aman të fillojnë fitoret njëherë, pastaj… Ne nuk besojmë më te fitoret e këtyre, se ta kam thënë atë filozofinë… Unë jam nip çobani dhe kur themi ‘ujku, ujku, ujku’, kur erdhi ujku pastaj nuk e besoi njeri, edhe kjo… të vijë njëherë ujku dhe pastaj flasim”, shprehet administratori.

NDËSHKIME – Për momentin nuk ka ndërmend të ndëshkojë lojtarët për humbjet, pasi nuk do të ndërtojë një klub diktator. Idrizi thotë se ndëshkimi më i madh për futbollistët është kur dalin “kokulur” nga stadiumi. “Ndëshkimet nuk i kemi përdorur si praktikë. Kjo pjesë u përket atyre që duan të mbajnë futbollin me stade diktatoriale.

Ne nuk e kemi këtë gjë dhe as nuk e kemi menduar. Ndëshkimi më i madh që lojtarët e Flamurtarit mund të kenë, është kur dalin nga stadiumi kokulur. Nëse nuk e kanë as këtë pastaj dhe largohen me kufje në vesh duke dëgjuar ndonjë… se më vjen ndot ta them me përemër, ndonjë muzikë nga këta repistët e rrugëve, atëherë po. Ky është ndëshkimi më i madh që duhet t’u japim”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"