“Nuk jam bërë pishman që qëndrova”, Ribaj: Mbijetesa e vështirë, “ëndërroj” ta ndalim Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2020 | 14:53

“Nuk jam bërë pishman që qëndrova”, Ribaj: Mbijetesa e vështirë, “ëndërroj” ta ndalim Tiranën

Andi Ribaj është i bindur se problemet te Flamurtari do të zgjidhen. Edhe pse mbijetesën e shikon të vështirë, kapiteni aktual i vlonjatëve nuk është bërë aspak pishman që qëndroi te kuqezinjtë. 

Ribaj

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi u shpreh i kënaqur pas barazimit në Ballsh dhe paralajmëron se do të bëjnë çmos që të jetë ata që do ta ndalin Tiranën këtë të mërkurë.

Një barazim që cilësohet si një rezultat pozitiv në situatën ku jeni, mund të merrnit më shumë në Ballsh?

Rezultat disi pozitiv, pasi luanim në transfertë dhe me Bylisin. Në atë takim mund të merrnim, por edhe mund të mos merrnim pikë. Ishte një lojë e hapur. Ata patën mundësitë e tyre dhe ne mundësitë tona. Në fund një barazim na kënaq, në atë transfertë delikate dhe të vështirë, përballë një kundërshtari si Bylisi.

 Sa janë shanset që Flamurtari të mbijetojë këtë sezon? 

Është e vështirë shumë, por ne do të luajmë në të gjitha ndeshjet me seriozitet qe të marrim sa më shumë rezultate pozitive.

Çfarë garancie ju kanë dhënë drejtuesit për të ardhmen?

E kam thënë gjithmonë dhe po e përsëris sërish. Drejtuesit e klubit na kanë dhënë garanci. Unë mendoj se do të zgjidhin gjithçka.

Por ju po respektoni garën, edhe pse në një situatë jo të mirë financiare. Jeni paguar? 

Ne e respektojmë garën, sepse jemi futbollistë profesionistë.

Çfarë ndryshimi kanë sjellë në ekip lojtarët brazilianë? 

Brazilianët që erdhën gjatë kësaj merkatoje janë lojtarë të mirë. Them se tani, me aktivizimin e tyre, ka më shumë cilësi grupi brenda tij.

Të mërkurën prisni Tiranën në Vlorë. Mendoni se do ta ndalni kundërshtarin që nuk thyhet prej 12 ndeshjesh?

Me Tiranën do të jetë një ndeshje e vështirë. Kundërshtari ynë i radhës është vendi i parë. Por normalisht që në një ndeshje të tillë motivohesh edhe më shumë për të dhënë maksimumin. Unë kam besim dhe shpresoj të marrim një rezultat pozitiv.

Me gjithë këto probleme, çfarë ju motivon përpara një ndeshjeje? 

Mua dhe të gjithëve ne na motivon fanella e Flamurtarit. Të gjithë e dinë se ajo është e rëndë dhe me histori.

Në këtë situatë jo të mirë, a jeni bërë pishman që qëndruat te Flamurtari? 

Aspak. Jo, nuk jam bërë fare pishman. Të njëjtën gjë do të kisha bërë përsëri sepse Flamurtari është ekip i madh dhe ekip me traditë në Superligën shqiptare. Këtë fanellë e kanë veshur lojtarë të mëdhenj.

 Personalisht keni bërë mirë në ndeshjet e fundit, po kaloni një formë të mirë?

Po, është e vërtetë. Unë jam në një formë të mirë. Shpresoj që të bëj akoma më mirë që të marrim sa më shumë rezultate pozitive.

Ermal Sika – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"