“S’i trembemi aspak Besëlidhjas”, kapiteni Jahaj: Nuk i njohim!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2020 | 23:31

“S’i trembemi aspak Besëlidhjas”, kapiteni Jahaj: Nuk i njohim!

Pogradeci ia arriti qëllimit ta fitonte ndeshjen me Lushnjën dhe të kapë vendin e dytë në Grupin B, falë golit të mbrojtësit Pere. Liqenorët vazhdojnë kështu të mbajnë gjallë shpresat për ngjitjen në Superiore, por përpara kanë edhe dy finale të tjera, njëra më e vështirë se tjetra.

Jahaj

JAHAJ – Ndaj Lushnjës trajneri Ardjan Abazaj zgjodhi një strategji ndryshe, duke u besuar nga minuta e parë disa të rinjve, për të pasur një ekip më të freskët fizikisht në raport me kundërshtarin. Goli i shpejtë i ndihmoi pogradecarët, ndërsa në pjesën e dytë u thirrën në katedër titullarët me përvojë, mes tyre edhe kapiteni Sajmir Jahaj, 34-vjeçari që u aktivizua në pjesën e dytë. Për “Panorama Sport”, mesfushori thekson se forca e vërtetë e Pogradecit u pa ndaj Lushnjës: “Ishte një fitore plotësisht e merituar.

Në fakt, kishim pak tension, sepse është diçka që vinte natyrshëm nga fakti që na duhej vetëm fitorja, por e menaxhuam mirë ndeshjen, duke marrë 3 pikët që na mbajnë ende në garë për Superioren. Pogradeci tregoi vlerat e tij më të mira në atë ndeshje ndaj një kundërshtari me shumë përvojë si Lushnja”, thotë Jahaj.

BESËLIDHJA – Futbollisti veteran i Pogradecit komenton më tej ndeshjen e radhës me Besëlidhjen. Ai flet me nota optimizmi, edhe pse pohon se nuk ka shumë informacion për këtë kundërshtar. “Patjetër që do të jetë e vështirë me Besëlidhjen, që ashtu si ne ka zënë vendin e dytë në grupin e saj. Për të qenë i sinqertë, nuk e njohim si ekip, përveçse dimë që ka emër dhe traditë në futbollin shqiptar.

Kemi kohën që të mbledhim informacion dhe të marrim masat tona për këtë kundërshtar. Gjithsesi, unë them me bindje se Pogradeci nuk i trembet asnjë kundërshtari.

Kemi forcën dhe përvojën për të përballuar ndeshje të tilla delikate me karakter eliminues. Kam bindjen se ekipi që do të ndeshet me vendin e tetë të Superiores do të jemi ne, pasi do ta kalojmë pengesën e parë, Besëlidhjen”, ka theksuar organizatori i ekipit liqenor, Jahaj. Pogradecarët kanë më shumë se një javë kohë që të përgatiten për Besëlidhjen.

ROMEO XINXIFI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"