“Nuk i tradhëtoj njerëzit që më besojnë”, Mërgjyshi pas ngjitjes së Apolonisë në Superiore: Mposhtëm paragjykimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2020 | 18:20

“Nuk i tradhëtoj njerëzit që më besojnë”, Mërgjyshi pas ngjitjes së Apolonisë në Superiore: Mposhtëm paragjykimet

Artan Mërgjyshi ka finalizuar me trofe një sezon të vështirë në Kategorinë e Parë. Në fillim të edicionit pakkush besonte se Apolonia do të ngjitej në Superligë, por Mërgjyshi, duke luftuar me “shpirt ndër dhëmbë” kundër paragjykimeve dhe pamundësive për të pasur skuadrën që donte në organikë, ia doli edhe me djemtë e rinj. Në një rrëfim “360 gradë”, trajneri bën një rezyme të sezonit pa rezerva.
mergjyshi

Urime për suksesin, Mërgjyshi! Një sezon i vështirë për ju, apo jo?
Ju falënderoj ju dhe median që ju përfaqësoni. Patjetër, ishte sezon i vështirë, ka pasur shumë skeptikë dhe, sido që të jetë, njëfarë efekti edhe ata e kanë te psikologjia e skuadrës. Kishim skuadër të re dhe garimi për në Superiore qe mision i vështirë. Nëse do të kishim më pak presion dhe më shumë mbështetje, do ta kishim më të lehtë.

Megjithatë, ia dolët me gjithë këto vështirësi…
Ishim të ndërgjegjshëm se do ishte një rrugëtim i vështirë. E thashë që në fillim se nuk do ishim dominantë, por konkurrentë të denjë gjer në fund. Kemi qenë realistë për vështirësitë. Përpos grupit të ri, kishim edhe prurje të reja tek Apolonia, ku disa rezultuan të suksesshëm e të tjerë jo. Ky rrugëtim i gjatë pati firo gjatë rrugës, por me kalimin e kohës gjithçka u koncentrua dhe doli ky produkt. Një skuadër, që të dalë kampione, duhet të bëjë diferencën në shumë aspekte.

Cilat janë avantazhet e Apolonisë ndaj rivaleve?
Tek avantazhet do thosha që një ndihmë shumë të madhe jep organizimi dhe funksionimi i Apolonisë si klub, infrastruktura, akademia, menaxhimi dhe korrektësia në çdo aspekt. Ajo që është serioze ka të bëjë me punën e djemve për t’u rritur sportivisht. Ata e dinë mirë që Apolonia është një stacion shumë i rëndësishëm i karrierës së tyre, një “trampolinë”.
APOLONIA BESA
Ka pasur momente që jeni ndier pesimist për objektivin?
Ishte periudha e janarit, pas humbjes ndaj Lushnjës. Shumë lojtarë u dëmtuan dhe të tjerë u larguan. Ishte goditje për mua, pavarësisht se nuk e jepja veten. Kam folur me lojtarët dhe jam munduar t’i motivoj. Ndeshja në Fushë-Krujë ishte pikë kthese. Luanim me një kundërshtar të karikuar dhe fitorja ndaj Ilirisë na bindi për forcën tonë.

Si ndiheni tani që riktheheni në Superiore?
Ndihem shumë mirë, sepse u kurorëzua një punë shumë e madhe e djemve dhe unë kam një pjesë të këtij kontributi. Kisha detyrimin karshi publikut fierak. Nuk mund të marr më shumë se më takon, pasi merita kryesore shkon për lojtarët. Statistikat flasin qartë në favorin tonë.

Guxim i madh të luash me të rinj dhe me mbrojtje me lojtarë të përshtatur, gjer tek Ejoh, i fundit i këtij “eksperimenti”…
Në fillim u munduam të luajmë me skemën 4-3-3, pastaj me 4-1-4-1, por duke pasur mbrojtës anësorë shumë të mirë, menduam skemën me 5 mbrojtës, pra 5-3-1-1 ose 5-4-1. Kemi 3 qendra të forta në mbrojtje dhe problemet e krahut i kompensojnë ata. Por dhe në qendër kemi pasur probleme, sepse edhe aty adaptuam lojtarë nga mesfusha, si Andonin dhe Ymerajn, që bashkë me Sotën dhe Dudën përballuan një kampionat të tërë. Lojtarët u treguan të gatshëm, pa fjalë dhe të përkushtuar. Rezultatet dëshmojnë punën e mirë që kanë bërë të gjithë.

Tani keni qetësinë për një analizë gjakftohtë. Cilat janë pikat më të dobëta të Apolonisë?
Në ndeshjet vendimtare me rivalët jashtë fushe na ka munguar qetësia dhe siguria dhe kjo vjen nga mungesa e përvojës. Pikë tjetër të dobët mund të quaj lëvizjet në organikë, në merkato kemi nxituar, duke afruar futbollistë që nuk janë përshtatur si duhet.

Fitoret ndaj Lushnjës dhe Pogradecit kanë qenë të kontestuara. Keni një përgjigje për kolegët Abazaj dhe Gjyla?
E pyeta Cankën publikisht për 4 ndeshjet që ka luajtur Lushnja me Apoloninë se sa ka ndikuar gjyqtari. Ai ra dakord se gjyqtari ka ndikuar 2 herë në favor të Lushnjës dhe një herë në favorin tonë, konkretisht në ndeshjen e tretë me një penallti të paqenë. Për ndeshjen e fundit Lushnja nuk ka asnjë kontestim. Me Pogradecin kemi fituar 2 ndeshje e kemi humbur 1. Humbja jonë erdhi nga një penallti e paqenë në fund, e akorduar nga një gjyqtar nga Lushnja. Pogradecarët kishin pretendime për një penallti në Fier, por Abazaj më takoi pas ndeshjes dhe më tha se penalltia ishte e drejtë. Për ndeshjen e fundit në Pogradec nuk di ç’të them, luajtëm gjysmën e lojës me 10 vetë. Ata patën ego negative, menduan se Apolonia është skuadër e brishtë, por kur na panë në fushë, u bindën se ishte ndryshe. Për forcën tonë duhet falënderuar trajneri Gjyla, i cili me deklarimet e tij na ka motivuar indirekt, edhe pse ka dashur të bëjë pis punën tonë. Duke u marrë me ne, harroi të merret me veten.

Dy ndeshjet e fundit…
Do respektojmë kampionatin gjer në fund, do luajmë për fitore, duke alternuar formacionin. Rivalët ta zgjidhin në ndeshjen direkt vendin e dytë.
mergjyshi
Një punonjës i klubit, kur ju u emëruat trajner, tha: “Nëse s’dalim në Superiore me profesor Tanin, largohem nga puna”.
(Qesh). Ja dhe një favor tjetër. Taulantit (personi që “vuri bast” dhe besoi) i thashë se më detyrohet darkë të mirë, e mbajta në punë.

Një mesazh për tifozët e Apolonisë.
Jam ndier mirë gjithmonë me tifozët, i ftoj ta mbështesin skuadrën, sepse është tregues ky klub. Po punohet mirë dhe nuk do t’i zhgënjejmë as në Superiore.

Në rast të një oferte më të mirë, mund ta lini Apoloninë?
Nuk bën vaki, jam profesionist, punoj atje ku ndihem i vlerësuar e respektuar. Nuk i tradhtoj njerëzit që më besojnë dhe u besoj.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"