Nuk i mbështesin Romelu Lukakun, Murinjo shpërthen kundër tifozëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2017 | 11:45

Nuk i mbështesin Romelu Lukakun, Murinjo shpërthen kundër tifozëve

Zhoze Murinjo ka shpërthyer kundër tifozëve të Mançester Junajtid në kanalin televiziv të klubit pas fitores ndaj Totenhemit. Shkaku? Trajneri portugez mendon se tifozët e “djajve” nuk po e mbështesin sa duhet Romelu Lukakun, pavarësisht se belgu është shënuesi më i mirë i Junajtid këtë sezon me 11 gola.

Murinjo

Mou shtoi se ai është i zhgënjyer nga besnikët e “Old Trafford”. Kjo nuk është hera e parë që trajneri kritikon tifozët. Ai i ka akuzuar ata më parë se kanë qenë “tepër të heshtur” në fillim të sezonit dhe marrëdhënia mes tyre është ftohur pas deklaratave të tij flirtuese me PSG-në.

“Po, do doja që tifozët të më shpjegonin përse nuk e mbështesin Lukakun kaq shumë, sepse ai jep gjithçka dhe mendoj se nuk është e ndershme që diferencën ta bëjë kur shënon apo nuk shënon gol. Nuk mendoj se është aspak e ndershme, kështu që jam disi i zhgënjyer, por jo me të. Me Lukakun jam shumë i kënaqur”. Trajneri i vuri në dyshim tifozët edhe gjatë një interviste për “Sky” dhe mbrojti belgun dhe paraqitjen në tërësi të skuadrës së tij pas golit të Marsialit.

Murinjo i habitur

“Ndonjëherë Antoni e nis ndeshjen si titullar dhe kontributi i tij është pozitiv. Ndoshta ai nuk shënon sa herë vjen nga stoli, por po luan mirë, ashtu si Rashfordi dhe Lukaku. Unë me të vërtetë nuk i kuptoj disa reagime, përse? A janë ata ‘djaj të kuq’? Ndonjëherë nuk i kuptoj, sepse sulmuesit tanë punojnë shumë mirë.

Ndaj Totenhemit kishim dy sulmues që luanin kundër tre qendërmbrojtësve të nivelit botëror, më të mirët që kemi në Europë dhe ata duhet të ndihmonin edhe mbrojtjen dhe t’u ushtronin presing mbrojtësve të Spërsave që dilnin me topin, sepse ata dinë ta bëjnë atë shumë mirë, pasi luajnë me tre veta në mbrojtje.

Lukaku

Sulmuesit na dhanë zgjidhje për të t’i shpëtuar presingut dhe fituar topa të parë, të dytë dhe puna e tyre ishte fantastike. Pastaj Marsial shënoi me një goditje të keqe (qesh), sepse ndonjëherë goditjet e këqija mund të jenë shumë të bukura”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"