“Nuk heq dorë nga të rinjtë, e patë rastin e Skukës”, presidenti Lusha “presion” Dinamos: Luzi nuk ka frikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2023 | 11:04

“Nuk heq dorë nga të rinjtë, e patë rastin e Skukës”, presidenti Lusha “presion” Dinamos: Luzi nuk ka frikë

Luzi 2008 është “hirushja” e Kategorisë së Parë. Kanë befasuar këdo në 12 javët e para të kampionatit, ndonëse debutues. Merita kryesore shkon për presidentin e saj, që në 15 vite nuk është kursyer kurrë për këtë ekip. Albert Lusha ngriti në 2008 një klub nga zeroja dhe sot renditet me dinjitet krahas skuadrave që kanë bërë histori dhe kanë fituar trofe në Kategorinë Superiore. Në një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai tregon ambiciet në prag të rifillimit të sezonit, ndalet te merkatoja dhe Dinamo.

LUZI

AMBICIET – Numri një i klubit kavajas i ka mëshuar një strategjie këtë vit, duke u besuar të rinjve dhe këtë nuk e bën pa shkak, pasi e di që një ditë do të shpërblehet.

“Që prej muajit korrik e kisha të qartë strategjinë që do të përdorja në Kategorinë e Parë, ndaj vendosa që baza e grupit të përbëhej nga futbollistë të rinj, për t’u plotësuar atyre dëshirën, ëndrrën dhe ambicien. Nuk më mungonin paratë për të afruar lojtarë me përvojë, por vazhdoj të besoj se Shqipëria ka shumë talente që duhen përkrahur e mbështetur. Vendosa të ndjek dhe investoj një strategji afatgjatë dhe jo vetëm sa për të garuar një kampionat. A ju bind rasti ‘Skuka’ që nga Kategoria e Parë arriti Kombëtaren dhe sot luan në Francë? Pra, më duhet të them se falë moshës së tyre, dëshirës, egos, kemi shfrytëzuar në maksimum këtë periudhë përgatitjesh gërshetuar me takime miqësore. Baza e grupit mbetet e njëjta, por deri në limitet e merkatos do të njiheni me largimet dhe afrimet që do të bëjmë. Sigurisht që do ketë përforcime, por këtë besoj se do ta mësoni deri të martën”, u shpreh fillimisht Lusha.

DINAMO – Luzi 2008 do të ketë një transfertë të vështirë sot, teksa do të luajë në “Selman Stërmasi” me Dinamon, një ekip që synon ngjitjen në elitë. E megjithatë, presidenti nuk i druhet asnjë kundërshtari. Qoftë ai me apo pa trofe.

“Të respektosh emra si Dinamo, Flamurtari, Besa, Skënderbeu është tjetër gjë, dhe të ndeshesh me ta si i barabartë është tjetër gjë. Ne jemi ndeshur me Flamurtarin, Besën, Skënderbeun dhe ju e dini që kemi fituar në Vlorë, barazuar në Peqin me Besën dhe jemi mundur mes polemikave me Skënderbeun. Thënë më qartë, ndaj tyre kemi luajtur me shumë dinjitet, si të barabartë, përtej rezultateve teknike. Pra, edhe nesër (sot) ndaj Dinamos, Luzi 2008 do t’i besojë moshës së re të lojtarëve, dëshirës, sakrificës dhe ambicies së tyre, gërshetuar me lojtarët me përvojë si, Ferraj, Xhika, Ramazani. Do të futemi në fushë pa asnjë lloj presioni dhe pres që lojtarët e mi të japin maksimumin e të dëshmojnë se jo vetëm meritojmë të qëndrojmë në Kategorinë e Parë. Por oreks kemi edhe për më shumë. Në varësi të rezultateve të synojmë të renditemi ndër 6 ekipet e kreut”, përfundoi kreu i luznjakëve.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"