Nuk gjeti hapësira me krutanët, futbollisti largohet përfundimisht nga Kastrioti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2022 | 14:29

Nuk gjeti hapësira me krutanët, futbollisti largohet përfundimisht nga Kastrioti

Kastrioti njeh vetëm largime në këtë periudhë merkatoje dhe i radhës që e ka mbyllur me krutanët është portieri Elton Vata.

ELTON VATA

24-vjeçari iu bashkua krutanëve në verën e shkuar, ndërsa mosluajtja rregullisht bëri që të kërkonte mbylljen e bashkëpunimit, për të cilët drejtuesit nuk i janë bërë pengesë duke e lënë të lirë gardianin, i cili në sezonin që sapo u mbyll u aktivizua në 7 ndeshje.

Në prononcimin e dhënë për gazetën pas largimit, Vata shprehet se u largua nga Kastrioti pasi ka nevojë që të luajë rregullisht.

“U largova nga Kastrioti pasi doja që të luaja rregullisht. Jam në një moshë që duhet të aktivizohem në çdo ndeshje, dhe te Kastrioti nuk mund të rrija kurrsesi portier i dytë.

Oferta aktualisht nuk kam, por do shikoj mundësitë që do të më vijnë. Për aq kohë sa kalova të Kastrioti, kalova mirë, dhe i falënderoj të gjithë për mbështetjen”, tha Vata në deklaratën e shkurtër për gazetën.

Portieri me origjinë nga Kukësi por që banon në Shijak, ka qenë pjesë e disa ekipeve në superiore, siç janë Teuta, Laçi dhe së fundmi Kastrioti, por ka luajtur edhe në Kategorinë e Parë me Erzenin dhe Vorën.

Me largimin e Vatës, numri i lojtarëve që e kanë mbyllur zyrtarisht me Kastriotin shkon në 5, teksa vijojnë të jenë ende të dyzuar lojtarët që u ka përfunduar kontrata të cilët kanë në tavolinë ofertën e klubit për të rinovuar.

Sa i takon merkatos në hyrje, ajo sërish vijon të jetë enigmë, pasi nga klubi shprehen se po punojnë fillimisht me rinovimet.

Kujtojmë që Kastrioti do të nisë përgatitjet më 4 korrik, nga ku pas disa javësh stërvitje në “Redi Maloku”, skuadra do ta kryejë fazën përgatitore jashtë vendit, nga ku deri më tani vendi më i përfolur është Bullgaria.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"