“Nuk gabojmë në merkato, presim edhe katër afrime cilësore”, drejtori Shtubina shpalos planet e Egnatias për sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2022 | 22:22

“Nuk gabojmë në merkato, presim edhe katër afrime cilësore”, drejtori Shtubina shpalos planet e Egnatias për sezonin e ri

Egnatia nuk është një emër i madh në futbollin shqiptar si Tirana, Partizani apo Vllaznia, por falë korrektesës së president Agim Demrozi, në këtë periudhë merkatoje te rrogozhinasit kanë vërshuar një “lumë” vetafrimesh lojtarësh nga dhjetëra menaxherë.

EGNATIA SHTUBINA

Këtë fakt e pranon edhe drejtori i ri sportiv i Egnatias, Ndriçim Shtubina, i cili deri para tri javësh ishte i angazhuar në fushë si futbollist. Shkodrani në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” se falë këtij interesimi që ka ngjallur Egnatia, telefoni i presidentit dhe trajnerit Tetova gjithë ditën del “i zënë”.

“Deri më tani kemi vepruar në bazë të kërkesave dhe nevojave që trajneri Tetova ka vendosur si prioritete për ndërtimin e skuadrës. Kur them kështu, kam parasysh faktin se Egnatia nuk e nis nga zeroja. Në ekip, nga sezoni shkuar, kemi futbollistë që ekipet elitare do paguanin miliona që t’i kishin. Thënë më qartë, ne kemi gjithë kohën e nevojshme në dispozicion për të mos gabuar në afrimet e lojtarëve. Nuk është sekret, ju e dini se në disa ekipe të Superiores ka në stol futbollistë që kanë kushtuar miliona, dhe kanë luajtur fare pak.

Nëse bëhet fjalë për këtë kategori, Egnatia ka disa lojtarë të rinj në organikë. Prandaj, nisur nga koha në dispozicion, do të operojmë edhe me 3-4 afrime cilësore. Do të afrojmë dhe lojtarë si alternativë për të rritur konkurrencën që askush të mos guxojë të mendojë se do mbetet pjesë e formacionit, luajti mirë apo jo mirë”, u shpreh drejtori i ri i Egnatias, ish-kapiteni, Ndriçim Shtubina. Rrogozhinasit kanë qenë aktivë deri tani në merkato, duke e përforcuar ekipin nga porta, ku u afrua Alen Sherri, deri në sulm siç ishte nënshkrimi me Ilir Camajn.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"