Nuk fiton në Vlorë prej 21 muajsh, Laçi gati për fitoren ndaj Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2019 | 14:15

Nuk fiton në Vlorë prej 21 muajsh, Laçi gati për fitoren ndaj Flamurtarit

Laçi nuk humb kohë. Sulejman Starova ka “arkivuar” barazimin pa gola në Elbasan për llogari të Kupës së Shqipërisë dhe ka filluar menjëherë përgatitjet për javën e 5- të. Kurbinasit udhëtojnë në Vlorë këtë fundjavë dhe kërkohet jo vetëm vazhdimësia, por edhe fitorja e parë në transfertë për këtë sezon.

laci

Grupi ka qenë i plotë në seancën e djeshme dhe është shfaqur tejet i përkushtuar. Stafi teknik është duke u marrë me rikuperimin e gabimeve të shfaqura deri në këtë fazë të kampionatit dhe mbi të gjitha me perfeksionimin e sulmit, që duhet thënë ka shënuar shumë pak, vetëm 2 në 4 javë. Rëndësi ka marrë edhe fiksimi i formacionit dhe mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndryshime, apo do i besohet 11-shes fituese me Partizanin.

“Bobi” nuk i beson krizës së Flamurtarit, ndaj pret që skuadra të jetë e mirëvendosur në fushë dhe e përqendruar nga minuta e parë e deri në fund për të mos i lënë asnjë hapësirë kundërshtarit. Statistikat nuk i kanë fort në krahë para këtij dueli. Laçi nuk fiton që nga 2017-ta në Vlorë. I fundit trepikësh për bardhezinjtë përkon me 17 dhjetorin e atij viti, teksa i nderonte goli me penallti i Arturo Rexhinaldos. Që prej 21 muajsh, kanë udhëtuar tri herë të tjera në qytetin bregdetar dhe maksimumi kanë marrë një pikë prej një barazimi të “thatë”, pasi në dy transfertat e fundit kanë triumfuar vlonjatët me rezultat minimal.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"