Nuk fitojnë prej 16 vitesh në Ekuador, Argjentina luan finalen në 2782 metra mbi nivelin e detit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2017 | 12:37

Nuk fitojnë prej 16 vitesh në Ekuador, Argjentina luan finalen në 2782 metra mbi nivelin e detit

Vjen momenti i së vërtetës për Argjentinën. Skuadra e Horge Sampaolit, e cila renditet në vendin e gjashtë të klasifikimit të grupit të Amerikës së Jugut (pas Perusë për shkak të diferencës së golave) dhe një pikë pas Kolumbisë, mund të humbasë të drejtën për të shkuar në Botërorin e Rusisë në rast se dështon të fitojë sot ndaj Ekuadorit në “Estadio Olimpico Atahualpa”, diçka që në fakt nuk e kanë bërë dot në 16 vitet e fundit.

jorge-sampaoli-lionel-messi-argentina_1xgl9vuldloq41jfz1tlmxm4x1

Bardhekaltrit nuk fitojnë në Ekuador prej vitit 2001 dhe kanë humbur dy nga 3 transfertat e fundit në kryeqytetin ekuadorian. Do të luhet në Kuito, në 2,782 metra mbi nivelin e detit. Nuk është e njëjta lartësi e stadiumit të Bolivisë “Hernando Siles”, ku Nejmar me shokë u desh ta merrnin oksigjenin me bombola pas ndeshjes, por lartësia do t’ia vështirësojë jetën Mesit dhe shokëve të tij, të cilët mbërritën në kushte ekstreme sigurie, të shoqëruar nga forca të armatosura deri në dhëmb.

IKIN MILIONAT

Përveç prestigjit që humb në rast moskualifikimi në Botërorin e Rusisë verën e ardhshme, Argjentina mund të humbasë edhe miliona euro nëse dështon në ndeshjen që do të luhet në të gdhirë të ditës së sotme. “MKT Registrado” ka analizuar humbjen financiare të bardhekaltërve dhe shifra fillestare është 10 milionë euro vetëm për moskalimin e grupit.

Më pas, në çdo fazë të Botërorit që do të zhvillohet në Rusi, Argjentina do të humbiste 10 milionë euro për kalimin në 1/8 e finaleve, 15 milionë euro për çerekfinalet, 21 milionë euro për vendin e katërt, 25 për vendin e tretë, 34 për finalisten dhe 42 milionë euro në rast shpalljeje kampion.

Këtyre u shtohen edhe largimi i sponsorëve së bashku me marrëveshjet milionere, pasi është e vështirë që kontratat të rinovohen me një Argjentinë jashtë Botërorit. Aktualisht, Argjentina është në vendin e gjashtë me 25 pikë në grupin e Amerikës së Jugut, po aq sa Peruja dhe një më pak se Kili dhe Kolumbia. Peruja do të presë Kolumbinë në një përballje direkte, ku e fituar është Argjentina, e cila nëse fiton në Ekuador siguron minimalisht fazën “play-off”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"