Nuk fal Kosta Rika, mund edhe Italinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2014 | 22:55

Nuk fal Kosta Rika, mund edhe Italinë

Itali-Kosta RikaHeronjtë e Amazonës e panë veten të burgosur në fushën e lojës. Humbja kundër Kosta Rikës është një det me telashe për Italinë, aq i madh sa edhe oqeani që rrethon qytetin e Recifes, ndonëse fatmirësisht kundër Uruguait, nënkampionëve të Europës do i mjaftonte një barazim për të avancuar në 1/8-at e Kupës së Botës. Ndeshja e dytë e Botërorëve për të kaltrit konfirmohet e mallkuar, një sfidë që nuk arrijnë ta fitojnë që prej Botërorit 1998. Nga ana tjetër, Kosta Rika bën surprizën më të madhe, mundin 1-0 katër herë kampionët e botës dhe sigurojnë kualifikimin për në fazën tjetër të “Brazil 2014”, duke barazuar kështu arritjen e tyre në Botërorin 1990, në Itali, si për ironi të fatit. Gjithsesi, ky kualifikim për ta është më se i merituar, ndërsa formacioni i Çezare Prandelit duhet të punojë seriozisht për sfidën e 24 qershorit, sepse edhe pse kanë në favorin e tyre dy nga tre rezultatet e mundshme për të kaluar më tej, kundër “bandës” së Luis Suarezit do të jetë një makth.

ITALI- KOSTA RIKA 0:1
Golat: Ruiz 44′
ITALIA: G.Buffon, A.Barzagli, G.Chiellini, M.Darmian, I.Abate, D.De Rossi, A.Pirlo, Thiago Motta (A.Casano 46′), C.Marchisio (A.Cerci 69′), A.Candreva (L.Insigne 56′), M.Balotelli. Trajner: C.Prandelli
KOSTA RIKA: K.Navas, M.Umaña, J.Díaz, Ó.Duarte, C.Gamboa, G.González, C.Borges, C.Bolaños, Y.Tejeda (J.Cubero 68′), B.Ruiz (R.Brenes 81′), J.Campbell (M.Urena 74′). Trajner: J. Pinto
Gjyqtarë: E.Osses, C.Astroza, S.Román
Kartonë të verdhë: Baloteli 69′ / Cubero 71′

Konfirmohen ndryshimet Siç ishte përfolur gjatë gjithë javës, trajneri Prandeli ndryshon ekipin e tij dhe mbase kjo nuk ishte një zgjedhje e gjetur. Barzalji dhe Bufon që ishin në dyshim luajnë nga minuta e parë, me Abaten dhe Motën titullarë, në vend të Paletës dhe Verratit, nga ndeshja e parë. Por këta emra as që e trembin Kosta Rikën, përkundrazi amerikano-qendrorët sulmojnë që në fillim. Borges “tallet” me Abaten në çdo rast që e ka përballë, ndërsa Bolanjos tremb Bufonin që në minutën e 6-të. Por të kaltrit vuajnë edhe nga goditjet e këndit, ku kapiteni i të kaltërve rrezikon me dy dalje jo bindëse në dy raste, ndonëse largon topin.
Shpërdoron Baloteli Gjithsesi, zgjidhje për të gjetur avantazhin ka, por ato mund t’i ofrojë vetëm Pirlo, këmbët e arta të të cilit i turpëron Mario Baloteli. Sulmuesi i Milanit fillimisht nuk godet siç duhet një pasim në zonën e vogël dhe brenda pak minutash shpërdoron dy mundësi të tjera edhe më flagrante. Në të parën nuk arrin të kalojë saktësisht në rrjetë një parabol që e pa të vetëm me portierin, ndërsa në rastin e radhës niset sërish nga Pirlo, por zgjedh goditjen në hyrje të zonës, në vend që të avanconte.
Ruiz trondit Italinë Italia duket se mund ta fitojë këtë takim, por në minutat e fundit tronditen. Në të 43-n arbitri i mohon një penallti Kampbellit, që rrëzohet në zonë nga Kielini, por një minutë më pas Diaz “peshkon” në zonë Ruizin, që shfrytëzon saktësisht krosimin, i cili parakalon të gjithë mbrojtjen dhe 1-0 për Kosta Rikën.
Zëvendësime të kota Në pjesën e dytë, Prandeli tenton të rikuperojë ndeshjen, duke hedhur menjëherë Kasanon në lojë, por Italia nuk funksionon sërish. Të kaltrit luajnë vetëm 15 minutat e para, ku rastet e vetme janë një penallti e dyshimtë që nuk u akordua në favor të Balotelit, një goditje nga distanca e Darmian dhe një goditje dënimi e Pirlos. Në pjesën tjetër të takimit, trajneri italian provon të shtojë forcën sulmuese edhe me Insinjen e Çerçin, në vend të Kandrevës e Markizios, por asgjë nuk ndryshon. Madje, në minutat finale të kaltrit shfaqen turpshëm në ndërtimin e aksioneve të tyre, pasi nuk arrijnë të bëjnë dy-tre pasime të sakta radhazi dhe Kosta Rika shkon e qetë drejt fitores. Me këtë sukses, amerikanoqendrorët “vrasin” dy rivalë menjëherë, sepse teksa mposhtin Italinë në fushën e lojës, rezultati 1-0 në favor të tyre eliminon matematikisht edhe rivalët e tyre të ardhshëm në grup, Anglinë, e cila kishte shpresuar te një mrekulli nga Italia (“tre luanët” kishin shpresa për të kaluar, vetëm nëse Italia mundte Kosta Rikën dhe Uruguain në ndeshjen e fundit të grupit).

Si kalon Italia…
Aktualisht, Italia renditet e dyta në grup me 3 pikë dhe me një golavarazh prej 2 golash të shënuar dhe 2 të pësuar (0 gjithsej). Uruguai ndan këtë pozicion, por me një golavarazh negativ, 3 gola të shënuar dhe 4 të pësuar (-1). Prandaj, në ndeshjen e fundit, të kaltërve do i mjaftonte një barazim (me fitoren natyrisht) për të avancuar më tej, sepse me rregulloren e re të FIFA-s është golavarazhi dhe jo përballja direkte që influencon pikësëpari te kualifikimi. Por Italia ka shanse që të synojë ende vendin e parë në grup. Aktualisht, Kosta Rika kryeson me një golavarazh pozitiv +3 gola, tre më shumë se Italia. Por në sfidën e fundit, nëse Anglia mund amerikano-qendrorët e kualifikuar tashmë, të kaltrit duhet të fitojnë në ato shifra që të kalojnë golavarazhin e Kosta Rikës, sepse, në rast barazimi, merret ndeshja direkte si tregues.

Ndeshjet e dyta konfirmohen një mallkim
Italia stepet disi në ndeshjet e dyta të Botërorëve. Këtë fakt e konfirmojnë sukseset e pakta të arritura në këtë fazë të turneve, ku në 18 precedentë, kanë arritur të fitojnë vetëm 7 herë, shpeshherë ndaj rivalëve modestë. Një sukses në takimin e dytë mungon që nga viti i largët 1998, kur të kaltrit mundnin Kamerunin, ndërsa në dy edicionet e mëparshme ndaleshin nga rivalë modestë në letër, ashtu sikurse edhe Kosta Rika dje. Ja lista e plotë e rezultateve në ndeshjet e dyta për italianët në secilin prej pjesëmarrjeve të tyre në Botërore:
LISTA
Edicioni 1934
ITALI – SPANJË 1-1
Edicioni 1938
FRANCË – ITALI 1-3
Edicioni 1950
ITALI – PARAGUAI 2-0
Edicioni 1954
ITALI – BELGJIKË 4-1
Edicioni 1962
KILI – ITALI 2-0
Edicioni 1966
B. Sovjetik – ITALI 1-0
Edicioni 1970
Uruguai – ITALI 0-0
Edicioni 1974
ITALI – ARGJENTINË 1-1
Edicioni 1978
ITALI – HUNGARI 3-1
Edicioni 1982
ITALI – PERU 1-1
Edicioni 1986
ITALI – ARGJENTINË 1-1
Edicioni 1990
ITALI – SHBA 1-0
Edicioni 1994
ITALI – NORVEGJI 1-0
Edicioni 1998
ITALI – KAMERUN 3-0
Edicioni 2002
ITALI – KROACI 1-2
Edicioni 2006
ITALI – SHBA 1-1
Edicioni 2010
ITALI – ZELANDA E RE 1-1
Dje
ITALI – KOSTA RIKA 0-1

Bryan-Ruiz-scores-against-INOTAT
BUFON 5 – Bëri gjithçka për të rikuperuar dëmtimin e tij në kavilje, por nuk është ende në formë të mirë dhe kjo u pa. Pas 6 minutash lojë del keq pas një goditjeje këndi dhe rrezikon të mposhtet nga Duarte pak sekonda më vonë. Bën një pritje të mirë ndaj Bolanjosit, por mbetet në mes të rrugës në golin e Ruizit. Me gjithë respektin, atë krosim Bufoni më mirë do e kishte larguar, ndaj me këtë formë që gëzon, është më mirë që Prandeli t’i besojë Sirigusë, kundër Uruguait.
ABATE 4.5 – Pjesë e parë e turpshme dhe nuk shihet në asnjë rast në mbështetje të Kandrevës. Në pjesën e dytë nuk e kalon kurrë mesfushën, mbetet i ngrirë në pozicionin e tij, a thua se përballë kishte Garrinçën…
BARZALJI 6 – Si zakonisht, ofron më shumë siguri se kushdo tjetër. Tapos të gjitha vrimat në mbrojtje, por mbi të gjitha limiton rrezikshmërinë e Kampbellit. Nuk gabon praktikisht asgjë, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për shokët e repartit.
KIELINI 4.5 – Dobët në debutim si i majtë kundër Anglisë, akoma më keq dje në qendër kundër Kosta Rikës. Në pjesën e parë i dhuron një pasim prapa Kempbëllit dhe për të rikuperuar gafën e tij gabon edhe më rëndë, pasi shtriu në tokë kundërshtarin, duke shkaktuar një penallti që vetëm arbitri nuk e pa. Me vonesë edhe në momentin e golit, por këtë gabim e ndan me Bufonin dhe Abaten.
DARMIAN 6.5 – Nga e djathta në të majtë për zgjedhje teknike, ai konfirmohet si risia më pozitive e kësaj Italie. Ofron mbështetje të madhe në sulm, por u konfirmua edhe si një goditës i frikshëm, me gjuajtjen e tij në minutën e 50-të që mund të vlente barazimin.
DE ROSI 5.5 – Mbetet i burgosur nga siguria e pakët që ofron mbrojtja. Nuk bën dëme të mëdha, por as një lojë të denjë. I humbur!
KANDREVA 4.5 – Duket kushëriri i shëmtuar i lojtarit magjik që u pa kundër Anglisë. Mbase, mungesa e Darmianit prapa shpatullave të tij i kushtëzoi lojë, me Abaten që nuk e ndihmonte kurrë. Zëvendësohet me të drejtë në të 56-ën nga Insinje (nota 4), por edhe pse për 30 minuta nuk shihet fare në fushë, në momentet finale ka në këmbët e tij topin e barazimit të mundshëm, por e shpërdoron në një roveshatë të kotë.
TIAGO MOTA 5 – Një gjë pozitive e bën, korrigjon krosimin e Pirlos për Balotelin, ndërsa godet keq një gjuajtje që pak vite më parë do ta dërgonte të paktën në kuadrat. Gjithsesi, nuk ishte ai fajtor për humbjen. Me fillimin e pjesës së dytë zëvendësohet nga Kasano (nota 5), i cili bën vetëm dy gjëra në gati 50 minuta, por i bën gabim. Në të 49-tën ofron asistin për Balotelin në vend që të tentojë goditjen, ndërsa në të 61-tën mund të pasonte, por këtë herë zgjedh një gjuajtje që shkon si pambuk në duart e Navasit.
PIRLO 6.5 – Pas ndeshjes jashtëtokësore kundër Anglisë, këmbët e tij nuk funksionojnë siç duhet, ndonëse nuk është faji i tij që nxjerr Balotelin të vetëm me portierin në dy raste gjatë pjesës së parë dhe sulmuesi shpërdoron. Në pjesën e dytë fiket, si e gjithë Italia…
MARKISIO 6 – Nuk e meritonte zëvendësimin, sepse dukej i vetmi që mund të kontribuonte ende me vrapime dhe ndihmë ndaj ekipit. Por as për të nuk ishte dita. Prandeli provon kartën “Çerçi” në të 69-ën (nota 5.5 për stimulim), sepse kërkon gjithmonë të kalojë kundërshtarin në duelin një për një, ndonëse nuk ia del kurrë.
BALOTELI 5 – Kundër Kosta Rikës u pa versioni më i keq i tiji. Ka në këmbët e tij tre topa për të dhënë avantazhin dhe ndoshta edhe kualifikimin e Italisë, por dështon dhe nervozohet me veten, duke humbur busullën, e cila kundër Anglisë u duk se funksionoi mirë. Gjithsesi, kundër Uruguait nuk i falet më asnjë gabim…
TRAJNERI ÇEZARE PRANDELI 4.5 – Bindet nga Bufoni për ta hedhur mes tufës së tij. I beson Abates korsinë e djathtë, duke kthyer Kielinin në qendër dhe gabon edhe në këto dy lëvizje. Mundohet ta shtojë rrezikshmërinë me Kasanon e Insinjen dhe më pas me Çerçin, por loja u përkeqësua… Lind pyetja, pse Imobilen e vlerësuar aq shumë me fjalë nuk e hodhi në fushë? Përgjigjen e di vetëm ai, por edhe përgjegjësitë do i marrë ai, sepse në pritje të Uruguait këto zgjedhje të gabuara mund të paguhen dhe rëndë madje, me shpresën se vetë lojtarët nuk do të rrisin “temperaturat” mes tyre deri në pritje të takimit vendimtar. Mendoj se janë fare të pakët ata që do të donin të ishin në vend të Prandelit nga sot…

PrandeliPrandeli: Humbja s’më surprizoi, në 40′ asnjë gjuajtje
Trajneri Çezare Pran deli pranon se skuad ra e tij është e lodhur, sepse në pjesën e dytë u panë lojtarë si Pirlo dhe De Rosi, të cilët shkëlqyen ndaj Anglisë që nuk kishin forca të vraponin, por akoma më keq, u demoralizuan psikologjikisht që në fillimin e pjesës së dytë. “Me një gol të Balotelit në pjesën e parë, ndeshja do të kishte shkuar shumë ndryshe, por gabuam në mënyrë flagrante, ndaj humbja është më se e merituar”. 56- vjeçari nuk kërkon ta dramatizojë këtë disfatë, sepse ai e dinte mjaft mirë që Kosta Rika ishte e rrezikshme dhe këtë e kishte parashikuar.
Prandeli, e prisnit që pas fitores me Anglinë të gjendeshit në këtë situatë, pas sfidës me Kosta Rikën?
Dinim vetëm që duke qenë pjesë e grupit më të fortë të Botërorit, kualifikimin tonë do ta kishim vendosur vetëm në ndeshjen e tretë. Fundja, edhe sikur të kishim fituar kundër Kosta Rikës, sërish nuk do të ishim kualifikuar, prandaj tani duhet të punojmë për sfidën me Uruguain.
Keni frikë se mos ky rezultat mund të përhapë panik në ekip, në pritje të Uruguait?
Ky është një aludim keqdashës, sepse frika nuk ekziston në ekipin tim. Tani duhet vetëm të rikuperojmë energjitë fizike e mendore. Kundër Uruguait do jemi gati dhe kam besimin se do kalojmë ne në 1/8- at e këtij Botërori.
Duket sikur Kosta Rika nuk ju ka surprizuar aspak?
Jo, është një skuadër që e njoh mirë, shumë e organizuar dhe thuajse perfekte në kundërsulmet e saj. Realiteti i këtij Botërori janë pikërisht këto skuadra, të cilat nënvlerësohen në letër, por në fushë të mahnisin. Humbja nuk më surprizoi, madje, ishte më se e merituar për ne. Por, e ritheksoj, s’ka panik në grup.
Mos ndoshta në pjesën e parë i nënvlerësuat rivalët?
Jo, ishte një ndeshje që nisi keq dhe ashtu mbaroi. Patëm dy raste fare të pastra që nuk i konkluduam, tre madje, vetëm brenda pak minutave dhe në momentin tonë më të mirë pësuam disavantazhin. Luajtëm deri në minutën e 51-të, më pas, për 40 minuta e më shumë nuk bëmë asnjë goditje në portë. Ky është një grup i vështirë, por tani do të luajmë gjithçka kundër Uruguait.
Pirlo, De Rosi, por edhe të tjerët u dukën të lodhur, ndërsa zëvendësuesit zhgënjyen totalisht…
Unë i pashë lojtarët e mi që të luftonin, dhanë gjithçka, por fatkeqësisht as zëvendësimet nuk ndryshuan gjë. Me Kasanon, por edhe më pas me Insinjen e Çerçin kërkova të shtoja dozën sulmuese për të ofruar më shumë mbështetje nga krahët, por kjo nuk funksionoi dhe morëm atë që meritonim në fund. Për sa i përket lodhjes, është normale që Pirlo e të tjerët u lodhën, sepse edhe kundërshtari ynë i mbylli të gjitha rrugët e pasimit, u tregua më konkret, më i saktë se ne.
Dhe tani si e prisni sfidën mes Italisë dhe Uruguait?
Të vështirë, për ata dhe për ne. Ndeshja është e hapur, rezultati gjithashtu, prandaj për ta kaluar pozitivisht duhet të jemi të përgatitur fizikisht dhe psikologjikisht. Duhet të besojmë deri në fund. Me Uruguain u ndeshëm një vit më parë në Kupën e Konfederatave, ishte e vështirë kundër tyre. Por sivjet luajmë për kualifikimin, ndaj stimujt do të jenë më të mëdhenj.

Insinje: Kishim fat, mund të pësonim më shumë gola
Sulmuesi i Italisë, Lorenco Insinje, nuk e kapërdin dot humbjen kundër Kosta Rikës, duke e analizuar takimin me tone aspak të buta: “Ishte një ndeshje e rëndësishme, që mund të na kualifikonte, por nuk shkoi siç pritej. U treguan shumë të zotët ata që fituan, por edhe ne që nuk pësuam më shumë gola, pasi humbja mund të ishte dhe më e thellë”,- tha napolitani.

“Më vjen keq kur më fajësojnë mua për disfatën”
Sulmuesi i Torinos ka mbetur i habitur, kur gazetarët në përfundim të takimit i kanë thënë se prej tij pritej më shumë: “Sapo hyra në fushë u mundova të kontribuoja 100% për ekipin, por nuk është e thjeshtë të ambientohesh kur luan vetëm 20 minuta. Më vjen për të qeshur kur më akuzoni mua për mënyrën se si rrodhën ngjarjet. Kritikat i injoroj, pasi nuk mund ta gjykoni një lojtar për 20 minuta”.

Alibia e kapiten Bufonit: Fajin e kishte vapa
Kapiteni i Italisë, Xhanluixhi Bufon, e gjen te temperaturat e larta alibinë për të kamufluar humbjen e djeshme kundër Kosta Rikës: “Donim që në fillim t’i vinim në vështirësi, por ata u treguan shumë të zotët që shënuan gol dhe e menaxhuan deri në fund avantazhin. Kosta Rika është e mësuar nga temperaturat e larta, ndërsa ne jo. Kjo është dhe ajo që vendosi takimin”.

ItaliaDe Rosi rrezikon ndeshjen me Uruguain
Lajme jo të mira për trajnerin e kombëtares italiane, Çezare Prandeli. Mesfushori i Romës, Danile De Rosi, ka dalë me probleme nga sfida e djeshme kundër ekipit të Kosta Rikës. Mesfushori ka lënë stadiumin e Raçifes duke çaluar, për shkak të një problemi muskulor. Duket se për De Rosin, sfida e ardhshme kundër Uruguait, që vlen kualifikimin për në fazën e 1/8-ve, është në rrezik. Pak ditë më parë italiani u ndal në stërvitje, për shkak të problemeve muskulore, por ai i djeshmi duket më serioz. Mësohet se lojtari ka qëndruar në fushë duke shtrënguar dhëmbët, kjo për shkak se Prandeli i kishte kryer të gjitha zëvendësimet. De Rosi është sforcuar për 20 minuta, të cilat mund t’i kushtojnë italianit dhe sfidën e radhës. Megjithatë, sot pritet të zbardhet diçka më shumë sa i përket problemit të lojtarit, pasi do t’u nënshtrohet analizave më të specifikuara. Më pas, mjeku i Italisë, Kastelaçi, do të bëjë me dije dhe kohën që i duhet për t’u rikuperuar.

Baloteli humb puthjen e mbretëreshës
Përpara sfidës me Kosta Rikën dhe duke qenë në dijeni të faktit se fati i kualifikimit të Anglisë varej nga rezultatet e Italisë, Mario Baloteli kishte ironizuar në faqen e profilit të tij: “Nëse mundim Kosta Rikën, dua një puthje nga mbretëresha e Anglisë. Natyrisht në faqe…”. Ironi apo një dëshirë e fshehur e tij, puthja e mbretëreshës Elizabeta është sfumuar si mundësi. Kjo, sepse Kosta Rika u ka dhënë një leksion të vërtetë italianëve dhe madje me këtë rezultat u hodhi në erë të gjitha shpresat e Anglisë për të tentuar një kualifikim të vështirë. Por mbi të gjitha, tani e në vazhdim, Baloteli do mendohet mirë përpara se të postojë ironitë e tij…

Sherr në tunel mes Italisë dhe Kosta Rikës
Italia pësoi një humbje tepër zhgënjyese kundër Kosta Rikës, por duket se lojtarët e kaltër kanë qenë tepër të nervozuar kur kanë hyrë në fushën e lojës, në pjesën e dytë. Në përfundimin e 45 minutave të para, ka pasur një përleshje mes futbollistëve të dy skuadrave në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes. Ishte trajneri i Kosta Rikës, Luis Pinto, ai që ka provokuar të gjithë situatën. Pasi u mohuan një 11-metërsh, ai iu drejtua stolit të italianëve duke i akuzuar, sapo arbitri sinjalizoi përfundimin e pjesës së parë. Por, ka marrë menjëherë reagimin e kundërshtarëve, të cilët i thanë që të ulej në stolin e tij. Gjithsesi, situata u përkeqësua pak më vonë kur dy ekipet po futeshin sëbashku në tunel. Pas disa shtyrjesh mes tyre, duket se situata është rënduar më tej, duke detyruar forcat e sigurisë që të qetësojnë situatën dhe lojtarët të kryejnë 15 minutat e pushimit. Në fakt, pjesën e dytë të takimit, djemtë e Çezare Prandelit nuk arritën të evitojnë humbjen, duke pasur paqartësi në aksionet e tyre dhe mbase sherri i pak minutave më parë, mund të ketë ndikuar. Tashmë “axurrët” duhet të luajnë kualifikimin në ndeshjen e fundit të grupit, ndërsa kostarikanët festuan “biletën” që i çon në raundin tjetër.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"