Nuk është thjesht një hipotezë, Partizani insiston për sulmuesin e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2018 | 9:59

Nuk është thjesht një hipotezë, Partizani insiston për sulmuesin e Tiranës

Partizani i trajnerit Skënder Gega i ka surprizuar të gjithë deri tani me ecurinë në kampionat, pasi në start, pakkush e kishte menduar këtë rendiment. Madje, edhe trajneri Gega e ka pranuar me sinqeritet se nuk e kishte menduar në fillim se Partizani do të ishte i pari në këtë periudhë.

partizani tifozet

Në këto kushte duket se gjithçka po ecën mirë, por ekzistojnë edhe dy rryma sa i përket merkatos së dimrit. Disa thonë se me rikthimin e sulmuesit Lukas Kardazo “demat” nuk kanë nevojë për afrime të tjera, pasi do të prisheshin balancat në ekip. Por, mbizotëruese është rryma që insiston në gjetjen e një sulmuesi “pykë”, i cili do  të sillte sisteme të tjera loje, por edhe do të garantonte gola.

Vasil Shkurtaj dhe Majkëll Ngo janë dy emrat e lakuar si alternativa për të përforcuar sulmin e Partizanit në merkaton e janarit. Të dy duken si elementë që mund t’i bëjnë punë trajnerit Skënder Gega. Shkurtajn e njeh mirë “timonieri” i të kuqve, pasi e ka promovuar tek ekipi Shpresa kur ishte trajner i kuqezinjve.

Ndërsa, për Ngonë ka folur me superlativa disa ditë më parë në një emision sportiv. Të dy shikohen si lojtarë të vlefshëm, por nisur nga karakteristikat që kanë, por edhe loja që zhvillon Partizani aktualisht, anglezi i bardhebluve mbetet më i pëlqyer. Falë fizikut, Ngo mund të ishte më i vlefshëm në shërbim të ekipit për të krijuar hapësira në mbrojtjet kundërshtare, ndërsa Shkurtaj është disi më individualist dhe nuhatës më i mirë goli.

ngoo

Por, filozofia e Partizanit të Gegës është loja në grup dhe jo përqendrimi apo varësia te një individ i veçantë. Majkëll Ngo po kalon një situatë konfuze te Tirana, pasi po përjeton disa ndëshkime nga klubi. Afrimi te “demat” mund të ishte një “bast” si për lojtarin, por edhe vetë Partizanin.

Të kuqtë po e monitorojnë situatën e anglezit, por kanë kohë të mjaftueshme për të vendosur se cili është “pyka” që u bën punë për pjesën e dytë të sezonit. Por, në ndeshjen e fundit të Kombëtares U-21 kemi parë një zgjim të Rubin Hebajt, i cili nëse këtë formë e gjen edhe te Partizani, i bie që drejtuesit të heqin dorë nga afrimi i “pykës” në janar.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"