“Nuk është finale”, ish-mesfushori Lici e sheh të shpëtuar Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2018 | 19:23

“Nuk është finale”, ish-mesfushori Lici e sheh të shpëtuar Vllazninë

Suad Lici, ish-mes fushori shkodran, është i mendimit se Vllaznia mund t’ia dalë në takimin e së dielës në Durrës. Për Licin, përballja me durrsakët nuk është një finale e parakohshme, siç edhe po përflitet. Kjo, pasi deri në fund të sezonit ka edhe shumë takime të tjera shumë vendimtare. Sipas tij, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, është e rëndësishme që ekipi të arrijë një rezultat pozitiv në këtë sfidë për të qenë më i qetë në vazhdimësi. “Është një përballje e vështirë dhe tepër decizive.

suad lici

Vetë pozicioni që kanë të dyja skuadrat në tabelën e klasifikimit e bën këtë takim më të vështirë. Teuta kërkon që të largohet nga pozicioni ku edhe ndodhet, ndërsa nga ana tjetër ekipi ynë kërkon që të jetë më i qetë për ndeshjet në vijim. Të gjithë po e quajnë një finale për mbijetesë këtë përballje, ndërsa unë do të thosha që ka shumë ndeshje deri në fund. Asnjë takim nuk është i lehtë pas këtij ballafaqimi. Nuk është si takimi me Tiranën, ku gjithçka varej nga ajo përballje e vetme. Për kaq javë sa janë në dispozicion, gjërat mund të lëvizin sa në njërin krah e aq në tjetrin. Nuk varet çdo gjë nga një fitore apo nga një humbje”, u shpreh fillimisht Lici.

REZULTATI – Në këtë takim, kuqeblutë duket se i kënaq edhe një pikë. Jo vetëm drejtues e lojtarë, por edhe ishfutbollistët, si Lici apo edhe të tjerë, do të ishin të kënaqur nëse Vllaznia do të arrinte marrjen e një barazimi në këtë sfidë. “Nuk do të thosha se nuk më kënaq një pikë në këtë takim. Kjo, pasi një pikë në këtë sfidë me Teutën është një gjë e mirë, duke qenë se skuadra krijon njëfarë sigurie më shumë për takimet e mbetura. Një pikë mund të jetë asgjë, por edhe shumë në një situatë të tillë.

Për mua, një pikëështë sukses për këtë skuadër. Për vetë takimet që ka zhvilluar Vllaznia, sidomos në fazën e tretë dhe në përballjen e parë të fazës së katërt, të bëjnë që të jesh optimist se edhe mund të merret më e mira në këtë pjesë të mbetur të sezonit. Ndoshta, kjo na ka bërë më optimistë edhe ne për të menduar se Vllaznia nuk do të vuajë deri në fund për të siguruar mbijetesën, paçka se vështirësitë do të jenë të mëdha. Një rezultat pozitiv në Durrës do të ishte një plus i madh për ne, për të bërë të mundur sa më shpejt një gjë të tillë”, vijoi ish mesfushori shkodran.

GJYKIMI – Në fund të fjalës së tij, ish-mesfushori i Vllaznisë, por jo vetëm, dhe i ekipit tonë përfaqësues, foli edhe për rëndësinë që mund të ketë gjykimi në këtë përballje. Vllaznia po kërkon gjyqtarë të huaj, pasi kjo skuadër, jo pak në këtë sezon, është ndëshkuar nga arbitrat. I pyetur për këtë qëllim, ish-futbollisti shkodran është shprehur: “Normalisht, kur diferencat nuk janë të mëdha, gjykimi ka ndikimin e vet. P

or unë mendoj se lojtarët nuk duhet të shikojnë gjykimin. Ata duhet që të bëjnë punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë jam me atë që është shprehur edhe Sukaj: ‘Nëse ne luajmë siç duhet, atëherë nuk ka çfarë të na bëjë gjykimi’. Gjithsesi, dëshiroj që gjykimi në këtë takim të mos jetë faktor”, përfundon deklaratën e tij, Lici.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"