“Nuk e solli FSHB-ja virusin”, Viron Toska: Nëse nuk fillon sezoni, na jepni titullin. Kemi realizuar mbi 100 pikë çdo ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2020 | 23:35

“Nuk e solli FSHB-ja virusin”, Viron Toska: Nëse nuk fillon sezoni, na jepni titullin. Kemi realizuar mbi 100 pikë çdo ndeshje

Nëse volejbolli vendo si për mbylljen për fundimtare të sezonit, Federata Shqiptare e Basketbollit ende nuk ka marrë një vendim, teksa vazhdon të shpresojë te një leje e mundshme nga Ministria e Shëndetësisë për rinisjen e aktiviteteve sportive në salla të mbyllura. Por kjo situatë ka sjellë reagime të ndryshme nga klubet, ku një pjesë e tyre kanë dalë hapur kundër federatës, duke kërkuar një vendim sa më të shpejtë, pasi nuk mund të vazhdojnë më në këto kushte, me kostot financiare dhe problematikat që shtohen çdo ditë.
Viron-Toska-udhezon-ekipin-Fredi

Por skuadra e Flamurtarit në basketboll për femra ka një tjetër qëndrim për këtë çështje. Trajneri Viron Toska në një prononcim për “Panorama Sport”, ashtu sikurse FSHB, thotë se klubet duhet të bëjnë durim: “Këto skuadra, të cilat kërkojnë që federata të marrë një vendim tani, duhet ta kishin ngritur zërin më parë, sepse FSHB e ka thënë që në fillim që duhet pasur durim. Kjo çështje nuk është në dorë të federatës, pasi varet nga Ministria e Shëndetësisë.  Nëse ka ekip që është dëmtuar nga kjo situatë, ai është Flamurtari, sepse i mbajtëm për muaj me radhë të gjitha lojtaret e huaja në Vlorë. Kështu që për mendimin tim, përderisa pritëm kaq, mirë është që të mos nxitohemi në mënyrë që të marrim një vendim të pjekur”, shprehet Toska.

Analiza vjetore FSHB 2016 B
Më pas trajneri vlonjat shfajëson Federatën Shqiptare të Basketbollit për këtë situatë, ndërsa e quan të pakuptimtë qëndrimin e ministrisë për të mos i lejuar aktivitetet sportive: “Gjithmonë kam qenë në kontakt si me presidentin, ashtu edhe me federatën. Na kanë thënë që duhet të kemi durim, sepse nuk është në dorë të tyre, dhe faktikisht kanë të drejtë, sepse kjo nuk është diçka që varet nga federata. Virusin nuk e solli federata dhe nuk mund ta akuzojmë për gjëra që nuk varen prej saj. Nuk dua t’i dal në mbrojtje FSHB-së, por ky është realiteti. Drejtuesit kanë qenë të interesuar që sezoni të fillojë sa më shpejt, ku madje caktuan edhe datat, por Ministria e Shëndetësisë nuk e lejoi rifillimin e aktiviteteve. Një vendim që nuk e kuptoj, sepse këtu nuk është problem basketbolli apo volejbolli, kur shikojmë që njerëzit po grumbullohen nëpër mitingje apo lokale. Koronavirusin nuk po e nxjerr sporti”.

Në fund trajneri i Flamurtarit rikthehet të komentojë çështjen e titullit, ku thekson edhe një herë që skuadra meriton trofeun: “Flamurtari kërkon që sezoni të rinisë, por nëse nuk do të jetë e mundur, atëherë duhet që të na japin titullin kampion në tavolinë, për shkak të vetë rezultateve. I kemi mundur të gjitha ekipet me +100 pikë, si brenda dhe jashtë. Ne nuk po kërkojmë lëmoshë, por një të drejtë”, përfundon Toska. Kujtojmë se Flamurtari ka pasur një ecuri të jashtëzakonshme deri në momentin e ndërprerjes së kampionatit, teksa në 16 ndeshje, regjistron po kaq fitore, madje në të gjitha ka arritur të shënojë më shumë se 100 pikë, duke kryesuar bindshëm në Kategorinë e Parë. Ndërsa kanë fituar edhe trofeun e parë sezonal, Kupën e Shqipërisë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"