“Nuk e prisnim të ishim kaq mirë”, mesfushori i Pogradecit: E them me bindje se jemi më lart se të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2020 | 8:12

“Nuk e prisnim të ishim kaq mirë”, mesfushori i Pogradecit: E them me bindje se jemi më lart se të gjithë

Pogradecarët po vazhdojnë procesin stërvitor normalisht, duke qenë maksimalisht të kujdesshëm dhe duke respektuar rregullat për të qenë të sigurt në aspektin shëndetësor. Grupi është i plotë dhe sipas mesfushorit Ildi Shyti, gjithçka është në rrugë të mbarë.ildi shyti

“Po stërvitemi në aspektin fizik, pasi dihet që vijmë nga dy muajt e karantinës. Pozitive është që të gjithë futbollistët kanë gjendje të mirë, siç është parë edhe në testet e kontrollit që trajneri ynë ka zhvilluar deri tani. Nuk e prisnim të ishim kaq mirë”, thekson Shyti në fillim.

Trajneri Ardjan Abazaj ka zhvilluar disa seanca të plota stërvitore me karakter fizik dhe shumë shpejt do të kalohet edhe në përgatitjen tekniko-taktike. “Shumë shpejt do të jemi më shumë në kontakt me topin dhe besoj se kemi kohën e duhur për të arritur atje ku edhe e kemi lënë”, shton më tej titullari i liqenorëve.

Pogradeci mban vendin e parë në Grupin B dhe duhet të ruajë këtë pozicion edhe pas 6 ndeshjeve të mbetura me rivalët direkt për ngjitjen në elitë. “Me gjithë respektin që kemi për rivalët tanë, mund ta them me bindje të plotë se Pogradeci është ekipi për t’u mundur. Dua të them se jemi më lart se të gjithë”, përfundon Shyti.

Romeo Xinxifi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"