“Nuk e mendoja kështu Flamurtarin”, ish-futbollisti vlonjat: Do jetë në një kampionat të egër, ja si ngjiten në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2020 | 10:37

“Nuk e mendoja kështu Flamurtarin”, ish-futbollisti vlonjat: Do jetë në një kampionat të egër, ja si ngjiten në Superiore

Rrapo Taho, ish-futbollisti i njohur vlonjat, e thotë troç se Flamurtari do të kthehet në Superiore vetëm nëse do të bëjë blerje. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Taho pranon se nuk ka shumë besim te një skuadër të përbërë me elementë të rinj, pa blerje me peshë, që të përballojnë kampionatin e egër të Kategorisë së Parë. Sipas tij, Flamurtari nuk është mësuar me presionin e këtyre fushave dhe me djem të rinj e ka gati të pamundur të kthehet në elitën e futbollit shqiptar.

Taho

Profesor Taho, a është në gjendje të kthehet ky Flamurtar në Superiore me këtë ekip që ka aktualisht?

Dëshira ime dhe e të gjithëve neve që e duam Flamurtarin është që ekipi të ngjitet sa më shpejt në Superiore. Duhet të ndodhë kështu patjetër. Nuk e dimë akoma do të bëjë apo jo blerje ekipi, sepse me djemtë e rinj e shikoj të vështirë të ngjitet, për shkak se ata nuk e kanë eksperiencën e duhur. Nuk i njoh këta djem që të flas me siguri, nuk e di çfarë gjendjeje kanë ata, por është e vështirë. Nëse Flamurtari do të bëjë përforcime, duke marrë lojtarë që bëjnë diferencën, jam i bindur që ekipi ngjitet në elitë shumë shpejt.

Si e vlerësoni kampionatin e Kategorisë së Parë?

Kategoria e Parë është shumë e vështirë, luhet në fusha të vështira, që nuk janë shumë të përshtatshme për Flamurtarin. Kategoria e Parë është një kampionat i egër dhe fushat po ashtu, ndaj dhe gjërat vështirësohen. Nëse Flamurtari nuk do të bëjë blerje, e përsëris, nuk i përballon ato fusha, sepse nuk mjafton vetëm talenti.

flamurtari

Çfarë doni të thoni me këtë?

Flamurtari ka luajtur në fusha të mira dhe nuk është mësuar me këtë presion, ndaj mendoj se e ka të vështirë në të Parën, ku siç e thashë, ka fusha të egra.

E mendonit se Flamurtari mund të binte nga Superiorja?

Të them të drejtën, nuk e mendoja kurrë. Mendoja se do të mbijetonte, por në fakt në fazën e katërt kishte shumë pak shpresa. Si mendoni se është më mirë për Kategorinë e Parë, të luhet me një apo dy grupe? Nuk e di si do të organizohet kampionati, por mendoj se e mira do të ishte që të bëhej me një grup. Do të ishte kampionat më i bukur dhe do të ngjiteshin vendet e para. Me dy grupe gjërat bëhen pak më të ndërlikuara.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"