“Nuk e mendoj të ardhmen”, Gripshi: Skënderbeu do vendet e Europës, pastaj sytë nga Gjykata

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Korrik 14, 2020 | 14:36


“Nuk e mendoj të ardhmen”, Gripshi: Skënderbeu do vendet e Europës, pastaj sytë nga Gjykata

Fitorja me Vllazninë e largoi Skënderbeun nga zona e ftohtë e renditjes dhe nga ethet e “play out”-it. Një fitore me vlera për korçarët që tashmë nuk kanë më hijet e një zbritjeje në shkallët e ulëta të klasifikimit. Pas kësaj fitoreje tashmë bardhekuqtë shohin më shumë nga vendet që të çojnë drejt zonës së Europës, me shpresën se vendimi i Gjykatës Federale në momentin që do të vijë, të jetë pozitiv për Skënderbeun. I këtij mendimi është edhe sulmuesi durrsak i korçarëve, Nazmi Gripshi, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” komenton fitoren ndaj Vllaznisë.gripshi

Megjithëse erdhi me shumë vuajtje dhe në minutën e fundit të kohës së rregullt, ai e quan të rëndësishme për vijimin e sezonit në kushtet kur edhe 9 pikë janë në lojë. “Fitorja e së shtunës ndaj Vllaznisë ishte sa e vështirë, aq edhe e rëndësishme për ne. Mund të them se, në këto kushte, rëndësi për ne kanë vetëm tri pikët dhe asnjë gjë më shumë. Ishte një ndeshje që e dinim që do të kishte me vete vështirësitë e saj, për shkak të pozitës së kundërshtarit. Një takim i cili vinte pas një sërë humbjesh për ne, dhe ishim të detyruar të fitonim. Ky ishte një presion më shumë për ekipin.

Tashmë nuk ka më rëndësi se si fituam, dhe nëse vuajtëm apo jo. E rëndësishme është që të përsërisim këtë sukses dhe të ecim me një tjetër rezultat pozitiv edhe në ndeshjen e radhës ndaj Luftëtarit. Megjithëse luajmë me një ekip që ka rënë zyrtarisht, duhet të tregojmë kujdes për të mos e çuar dëm këtë takim dhe këtë rezultat që morëm”, theksoi fillimisht Gripshi.

OBJEKTIVAT

Më pas numri 10 i Skënderbeut u ndal tek objektivat sezonalë të korçarëve, si dhe te lajmi i shumëpritur i vendimit që pritet të vijë nga java në javë nga Lozana. Për këtë, Gripshi kërkon maksimumin edhe në këto javë të mbetura dhe më pas është detyra e klubit të shohë se si do të shkojnë gjërat dhe si do të ndërtohet e ardhmja.KALE GRIPSHI

“Ne jemi në fushë dhe do të mendojmë vetëm për lojën brenda saj. Jemi në vendin e pestë në klasifikim dhe normalisht që nuk duam ta mbyllim këtu. Synimi ynë është që të jemi brenda zonës europiane dhe kjo na paraqitet si objektiv sezonal.

Do të bëjmë maksimumin, duke menduar për këto tri javë të fundit që të marrim më të mirën e mundshme. Gara për vendet që të çojnë në Europë është e hapur. Ne do të përpiqemi ta arrijmë në fushë. Më pas do të presim se çfarë do të ndodhë me Gjykatën Supreme dhe cili do të jetë plani i klubit për të ardhmen. Merkato? Unë jam një futbollist i Skënderbeut dhe normalisht do të mendoj për të bërë më të mirën time këtu. Jam në kontratë me klubin dhe presidenti e di të ardhmen time. Nuk mendoj asgjë tjetër veç mbylljes me sukses të sezonit”, përfundoi Gripshi.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com