“Nuk e kuptuam histerinë e tifozëve delvinjotë”, kapiteni i Tomorit: Kemi siguruar ngjitjen në të Parën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2020 | 13:52

“Nuk e kuptuam histerinë e tifozëve delvinjotë”, kapiteni i Tomorit: Kemi siguruar ngjitjen në të Parën

Tomori nisi dje përgatitjet për takimin e radhës. Pas përballjes me Delvinën në transfertë, futbollistët u lanë një ditë pushim për të rinisur me dinamizëm përgatitjet e ndeshjes me Selenicën, që luhet të mërkurën. Për beratasit është një përballje e lehtë, ndaj dhe pritet që në fushë të zbresë Tomori B.

Karamani Tomori

KARAMANI – Në Berat ka pasur shumë interes për të mësuar më shumë në lidhje me dhunën e ndeshjes me Delvinën. Mbrojtësi i majtë dhe kapiteni i Tomorit, Fation Karamani, shprehet:

“Për ne më shumë rëndësi ka fitorja, sepse kemi siguruar ngjitjen në të Parën. Mendoj se dy fitoret në shtëpi me Selenicën dhe Naftëtarin do të jenë një formalitet, ndaj dhe si kapiten më duhet ta ndaj gëzimin e këtij suksesi me shokët e skuadrës dhe stafin teknik, si dhe me tifozërinë tonë.

Karamani

Sa i përket ngjarjes në Delvinë, me shumë sinqeritet them se në fushë nuk kishte dhunë. Futbollistët vendës u sollën mirë dhe nuk dua t’i rëndoj aspak. Gjithçka ka ardhur nga jashtë rrethimit të fushës dhe askush nuk ka mundur të kuptonte atë sjellje histerike të tifozëve vendës ndaj nesh.

Policia ishte inekzistente dhe për asnjë çast nuk mori mundimin t’i largonte ata tifozë që na gjuanin me gurë dhe na shanin pa pushim. Nuk e dimë vërtet se ku e kishin hallin tifozët e Delvinës, sepse atje kanë fituar takime në këtë kampionat edhe Albpetroli, Tepelena e Maliqi. Është vërtet për t’u habitur ajo sjellje ndaj nesh.

Dëmtimi i rëndë i portierit tonë erdhi nga fusha gjatë lojës, por ajo që ndodhi më pas me goditjen me gur të fizioterapistit Fani është e papranueshme”.

Edi Spahiu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"