“Nuk e kuptoj se çfarë po ndodh me ekipin”, Gilman Lika: Vllaznia s’është për “play out”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2020 | 15:23

“Nuk e kuptoj se çfarë po ndodh me ekipin”, Gilman Lika: Vllaznia s’është për “play out”

Humbja në shtëpi me Skënderbeun i ka trazuar ujërat te Vllaznia, që mban vendin e tetë, pozicion i cili të detyron në fund të sezonit të zhvillosh një ndeshje “play out” për të qëndruar në Superiore. 

gilman lika

Kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, në intervistën e shkurtër të dhënë për “Panorama Sport”, e shikon të kalueshme situatën e skuadrës. Kapiteni ka shpjeguar edhe arsyet e kësaj situate, teksa i shikon me optimizëm takimet e ardhshme dhe për më tepër shpreson që Vllaznia të kthehet te rezultatet që ndaj Kukësit. Kalendari nuk është i favorshëm për momentin, por kuqeblutë kanë treguar se dinë të reagojnë dhe të marrin rezultate.

 Gilman, çfarë nuk po shkon te Vllaznia në këto momente?

S’po e kuptoj as unë. Nga ana e cilësisë jemi rritur si skuadër, por shpresoj ta kalojmë sa më shpejt ketë moment jopozitiv.

Skuadra e nisi mirë pjesën e dytë të sezonit, por sërish po rikthehet frika e “play out”-it në Shkodër? 

Kam thënë edhe më përpara se janë shumë skuadra të përfshira në luftë për t’i shpëtuar “play out”-it. Jam i bindur që me grupin që kemi, Vllaznia nuk është për këtë vend.

 Humbja me Skënderbeun e ndërlikon situatën apo nuk ka vend për panik? 

Na ka mërzitur kjo humbje me Skënderbeun në minutën e fundit të ndeshjes, por duhet të reagojmë sa më shpejt.

Nesër luani përballë Kukësit në transfertë, ka shpresa për rikthimin e Vllaznisë te rezultatet pozitive?

Sigurisht që kemi shpresa këtë vit, pasi nuk ka diferenca ndërmjet ekipeve në Superiore, ndaj shpresoj ta realizojmë këtë mision.

Duke shikuar nivelin e kundërshtarit, a kënaqeni edhe me një pikë? 

Dihet që Kukësi është ekip i mirë, por në mentalitetin tim, në çdo ndeshje hyjmë në fushë për ta fituar. Kjo mbetet parësore gjithnjë.

Vllaznia festa e golit Gilman Lika

A ka forca Vllaznia që ta kalojë situatën ku ndodhet?

Sigurisht që e ka forcën. Thjesht duhet të rregullojmë disa gjëra që në këto ndeshjet e fundit nuk i kemi bërë mirë si ekip.

Takimet në “Loro Boriçi” janë kthyer në një tabu këtë sezon. Çfarë po ndikon? 

Është e vërtetë kjo gjë. Më vjen keq për disa tifozë që e ndiejnë me zemër humbjen e Vllaznisë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"