“Nuk e kam të vështirë përshtatjen, klubi ka synime”, Demir Imeri prezantohet tek Egnatia: Drejtuesve ua shpërblej me gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2021 | 19:35

“Nuk e kam të vështirë përshtatjen, klubi ka synime”, Demir Imeri prezantohet tek Egnatia: Drejtuesve ua shpërblej me gola

Egnatia nuk ka të ndalur në merkaton e verës. Pas shumë përforcimesh, rrogozhinasit kanë afruar një tjetër lojtar me eksperiencë, Demir Imerin, i cili vjet ishte pjesë e Vllaznisë. Me përvojat e tij te Ps Kemi, Shkëndija e Tetovës, Olimpik Donetsk apo edhe Kamza dhe Vllaznia në Superiore, mesfushori ka ditur të bindë stafin e Egnatias. Por, nga ana tjetër, 25-vjeçari ka spikatur edhe me gola në raste të ndryshme në aktivizimet e tij. Rrogozhinasit bëjnë një afrim efikas në fazën sulmuese duke i dhënë trajnerit Magani e stafit me radhë mundësi përzgjedhjeje. Imeri ka firmosur kontratë njëvjeçare me opsion rinovimi, dhe më pas ai është prezantuar nga klubi në faqen zyrtare. Për “Panorama Sport”, Demir Imeri, afrimi i radhës tek Egnatia, shprehet se do të japë më të mirën për fanellën e re që do ta mbajë veshur.

DEMIR IMERI

“Pas shumë diskutimesh, arrita akordin tek Egnatia. Ndihem i kënaqur që edhe menaxheri më afroi në skuadrën e duhur për të dhënë kontribut. E gjeta shumë shpejt dakordësinë me drejtuesit rrogozhinas, pasi u njoha edhe me synimet sezonale. Besoj se do t’i përmbush më së miri pritshmëritë.

Më është besuar fanella me peshë e një skuadre që ka qëllime të tjera në sezonin e ri. Ndryshe nga kampionati i fundit, që fitoi trofe dhe u ngit në elitë, tani mendohet për të qenë konkurrues në garën në Superiore. Gjithkush bën llogaritë e tij, pavarësisht ecurisë totale. Është vetëm dita e parë që po stërvitem me shokët e rinj të ekipit, por nuk e kam të vështirë përshtatjen. Kam luajtur në shumë klube dhe konsiderata ka qenë e madhe.

Jo vetëm drejtuesve, por edhe tifozëve do të mundohemi që t’ua shpërblejmë besimin e dhënë ndaj nesh. Gjatë aktivizimit me Vllazninë në sezonin e shkuar, arrita të njoh kampionatin shqiptar, që shquhet për lojën e fortë. Nuk e kam aspak të vështirë përshtatjen, vetëm më duhet pak kohë.

Gjeta një ambient të mirë tek Egnatia dhe i falënderoj të gjithë. Këtë vlerësim e mendoj ta shpërblej në fushë, pse jo me gola. Nuk deklaroj luftën për golashënues që tani, por të ndihmoj sa të mundem sulmin. Pres të jem në formën time më të mirë. Përvojat e reja kërkojnë vetëm përkushtim dhe jam i motivuar për maksimumin”, u shpreh Imeri për “Panorama Sport”.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"