“Nuk e harroj kurrë kur luaja në Kategorinë e Parë”, Ardit Hoxhaj: Titulli vjen në Shkodër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2021 | 22:33

“Nuk e harroj kurrë kur luaja në Kategorinë e Parë”, Ardit Hoxhaj: Titulli vjen në Shkodër

Ka debutuar pa mbushur 16 vjeç me Flamurtarin në Superiore, madje ka qenë trajneri Hulian Rubio që i ka besuar. Më pas u huazua te Himara në Kategorinë e Parë, aty ku Bylisi e pikasi dhe e afroi në Ballsh. Luajti në Kategorinë e Parë, aty ku shënoi kur skuadra në 2013-2014 u ngjit në Superiore dhe një vit më vonë ishte një nga më të mirët te Bylisi në elitën e futbollit shqiptar, vetëm 21 vjeç.

Hoxhaj

Dje, ishte Hoxhaj që ndëshkoi skuadrën ku luajti dhe la gjurmë, e madje spikati në Superiore, sepse ishin ballshiotët ata që e shitën. Pas ndeshjes, në një prononcim për “Panorama Sport”, Ardit Hoxhaj foli për golin, por edhe për Bylisin dhe Ballshin. Edhe pse nuk është shtatlartë, Ardit Hoxhaj po tregon se di të shënojë edhe me kokë, pasi nga tetë të tillë që ka realizuar deri tani me Vllazninë, katër janë me kokë, i fundit dje ndaj Bylisit. “Sigurisht që jam shumë i lumtur, sepse ishte një gol në minutën e 95-të. Një gol që na dha tri pikët e sigurisht unë u bëra protagonist duke ndihmuar skuadrën në një ndeshje delikate. Ky trepikësh mund të na vlejë shumë, si hap i rëndësishëm drejt titullit kampion”, u shpreh fillimisht sulmuesi vlonjat.

E SHKUARA – Hoxhaj kujton me nostalgji periudhën në Ballsh, për të cilën thotë: “Unë kam respekt për ekipin e Bylisit dhe gjithë Mallakastrën. Kam kaluar emocione shumë të bukura dhe të mëdha në Ballsh, në Kategorinë e Parë kur ne u ngjitëm, që nuk do ta harroj kurrë atë periudhë, por edhe tifozët që ruajnë respekt. Natyrisht kishte edhe nga ata që më ofenduan, por janë një pakicë. Gjithsesi, unë jam profesionist, bëj detyrën time në fushë. Bylisi ka një ekip simpatik, u bë një ndeshje e bukur dhe e fortë”.

VLLAZNIA KAMPION – I pyetur se me këtë fitore, a hodhi Vllaznia një hap të sigurt drejt titullit, vlonjati Ardit Hoxhaj u shpreh: “Ishte një fitore në një ndeshje radhe, sigurisht që na vlen shumë. Për titullin ka ende shumë rrugë përpara, pasi do të luajmë edhe me rivalët dhe janë takime përcaktuese. Po ruajmë ritmin, jemi në rrugë të mbarë dhe besojmë se do të jemi ne skuadra që do të shkojmë te titulli kampion”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"