“Nuk e dimë ku jemi”, kapitenin Canka e shqetëson zvarritja e klubit: Duhet të nxitojmë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2022 | 21:52

“Nuk e dimë ku jemi”, kapitenin Canka e shqetëson zvarritja e klubit: Duhet të nxitojmë…

Te Lushnja janë në “gjumë”. Muaji qer shor po shkon drejt fundit, por klubi nuk ka hedhur asnjë hap për edicionin e ri futbollistik. Skuadra zakonisht ka zbritur në fushë në ditët e para të korrikut, por këtë vit rrezikojnë që t’i nisin më vonë përgatitjet. Zyrtarisht nuk kanë një trajner dhe as ekip.

Canka

Lojtarëve u ka skaduar kontrata dhe drejtuesit nuk kanë kontaktuar askënd për rinovimet. Kjo gjendje shqetëson titullarët, që nuk kanë asgjë të qartë për të ardhmen. Të gjithë janë në pritje, përfshi edhe kapitenin Mikel Canka. Ai shpreson që kjo heshtje të përfundojë sa më shpejt dhe të nisë organizimi për sezonin 2022-2023, që pritet të jetë më i vështiri në historinë e Kategorisë së Parë.

Në një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, sulmuesi flet edhe për çështjen e pankinës. “Jemi në një situatë të çuditshme. Ende nuk e dimë se çfarë do të bëhet me Lushnjën për edicionin e ri futbollistik. Me shumë sakrifica dhe me rezultate shumë të mira në fazën e dytë arritëm të mbanim skuadrën në këtë kategori. Por, nuk kemi nisur të organizohemi për sezonin 2022- 2023. Të gjitha klubet kanë filluar të lëvizin.

Ndërsa ne nuk dimë ku jemi. Nuk dimë akoma kë do të kemi trajner të ekipit. Kemi dëgjuar për Klevis Dalipin, por vetëm kaq. Unë e shoh si diçka pozitive ama dhe më bëhet qejfi nëse ai vjen, por ende nuk dimë asgjë. Dalipi është njeri i mirë dhe mbi të gjitha trajner punëtor. Por, akoma nuk dihet asgjë. Jemi duke pritur se çfarë do të bëhet me verdhejeshilët. Unë e kam në zemër Lushnjën dhe natyrshëm jam i shqetësuar. Presim që të organizohemi dhe të mundohemi të ndërtojmë një skuadër pretendente”, deklaroi 35-vjeçari.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"