“Nuk do t’ju tregoj çfarë na mungon, ndryshe më masakroni”, Konte mediton largimin: Në fund të sezonit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2020 | 15:38

“Nuk do t’ju tregoj çfarë na mungon, ndryshe më masakroni”, Konte mediton largimin: Në fund të sezonit…

Interi hedh në erë një tjetër mundësi për të mbajtur gjallë shpresat për titullin kampion, duke u kapur në fund në një barazim 2-2 në transfertë kundër Hellas Veronës, ndonëse e përmbysën ndeshjen, pas një disavantazhi fillestar. Dhe në këtë pikë, zikaltrit e shohin veten që të mbeten edhe prapa Atalantës, duke rrëshqitur në vendin e katërt. E gjithë kjo situatë dhe kjo krizë momentale nuk kishte se si të mos nervozonte Antonio Konten, i cili përballë gazetarëve, pas ndeshjes së djeshme, lëshoi fjalë të forta, madje duke lënë hije dyshimi edhe për një largim të mundshëm në fund të këtij sezoni.KONTEEEE

Konte, çfarë ndodhi kundër Veronës?

Sinqerisht, nga pikëpamja e impenjimit dhe e dëshirës, nuk ka asgjë se çfarë t’i dënojë futbollistët e mi. Luajtëm përballë një skuadre, e cila ritmet e shpejta të lojës i ka pikën e saj të fortë. Edhe njëherë tjetër duhet të zhgënjehemi për faktin që pësojmë gol në minutat e fundit, me golin që nis nga një situatë me top të ndaluar, si një rivënie anësore. E them me bindje se do të kishim merituar fitoren, ndaj nuk ka asgjë për çfarë t’ua tërheq vëmendjen lojtarëve të mi.

Interi juaj ka humbur 20 pikë nga situata kur e sheh veten në avantazh. E prisnit një situatë të tillë?

Unë mendoj se po bëjmë një punë shumë të rëndësishme, sido që të mbyllet ky sezon. Pastaj sigurisht që kjo është një statistikë, e cila duhet të na bëjë të reflektojmë dhe duhet të na shtyjë gjithmonë e më shumë për t’u përmirësuar. E dimë të gjithë që kemi humbur disa pikë idiote, ndryshe do të dilja këtu përpara jush dhe të flisja për një tjetër renditje kundrejt asaj aktuales.aNTONIO kONTE INTER

Skuadra nuk ka vazhdimësi brenda të njëjtës ndeshje. Si e shpjegoni?

Duhet të nisim të tregohemi të zotë të menaxhojmë situata të veçanta. Mendoj se me eksperiencën mund të arrijmë që ta përmirësojmë këtë gjë, duke qenë se vështirësitë që hasim shpesh në disa momente të thjeshta për t’u menaxhuar tregon pikërisht këtë. Thënë këtë, Verona në pjesën e dytë na goditi vetëm një herë në portë dhe fatkeqësisht ajo gjuajtje na dënoi me barazimin. Po punojmë shumë, më besoni, prandaj nuk dua të bëj analiza më të gjera, duke qenë se ju gazetarët shpeshherë më akuzoni se unë kritikoj këdo dhe kudo, pavarësisht rezultatit. Unë flas gjithmonë në mënyrë konstruktive për të përmirësuar momente specifike. Lojtarët e mi e dinë këtë.

Por çfarë nevojitet atëherë për të përmirësuar këtë Inter?

Nuk do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, ndryshe nesër do më masakroni. Kjo është një lojë juaja dhe unë nuk dua ta vazhdoj, pasi mund të preken gjëra të rëndësishme. Nëse doni që t’ju them diçka që unë ndiej, vërtet është se në fund të sezonit do të bëj vlerësimet e mia, ashtu sikurse klubi dhe drejtuesit do të bëjnë të vetat. Nëse do të kem diçka për të thënë, do t’ia them. Të gjithëve do të na pëlqente të fitonim, por fillimisht duhet të kuptojmë sa pranë apo larg jemi nga të fituarit. Dikush mund ta mendojë në një formë, unë mund ta mendoj në një formë tjetër, ndaj…

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"