“Nuk do të luajmë për një barazim”, Tonali: E dua këtë kualifikim po aq sa të gjithë milanistët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2022 | 18:01

“Nuk do të luajmë për një barazim”, Tonali: E dua këtë kualifikim po aq sa të gjithë milanistët

Në një skuadër profesionistësh përkushtimi duhet të jetë maksimal, por Sandro Tonali ka atë grimë pasioni prej tifozi që e bën të japë çdo gjë për Milanin. Mesfushori ka qenë dje në krah të Stefano Piolit në konferencë për shtyp dhe nuk ka ngurruar të zbulojë kartat në prag të ndeshjes së sotme në orën 21:00 kundër Salcburgut.

Champions League - Group E - FC Salzburg v AC Milan

Nga paraeliminatoret me Shamrokun në Ligën e Europës, tek ëndrra për 1/8-at e Champions-it. Cili është perceptimi?

Është një rrugëtim që e kemi merituar dhe që na përfaqëson për të gjitha vitet e kaluara së bashku. Dihet ku e kemi nisur dhe duam të mbërrijmë sa më larg. E dimë rëndësinë e momentit e do të mundohemi të arrijmë objektivin e parë sezonal.

Keni frikë nga Salcburgu?

Përpara një sfide të tillë nuk mund të kesh frikë. Presion ka dhe është normal duke e ditur forcën e rivalit. Kemi punuar shumë mbi lojën e tyre dhe tonë, ndaj të mos flasim për frikë, por për vëmendjen dhe kthjelltësinë që do të na nevojiten në fushë.

Si e priti skuadra rinovimin e trajnerit?

E uruam dhe më pas vazhduam punën mbi ndeshjen e radhës. Të gjithë flasim për barazimin si rezultat të mjaftueshëm, por e dimë se kjo ndeshje duhet fituar me çdo kusht. Gabime si ato ndaj Torinos nuk do të shihen sepse e kemi vërtetuar që jemi një skuadër të di të reagojë. Për fat të mirë ndeshja erdhi shumë shpejt e nuk menduam gjatë për humbjen e fundjavës.

Çfarë nuk shkoi me Torinon?

Duke analizuar ndeshjen e kemi kuptuar se ku gabuam. Do të përpiqemi të mos përsërisim gabimet dhe të zhvillojmë një ndeshje të denjë për rrugëtimin që na ka sjellë deri këtu.

Jeni lojtar dhe tifoz i Milanit. A ndryshon përjetimi?

Janë ndjesi pozitive që të gjithë duam t’i përjetojmë. Rëndësia e ndeshjes është specifike. Vjet nuk e kaluam dot fazën e grupeve, ndërsa sivjet vazhdon puna për të arritur këtë objektiv. Emocionet dhe dëshira e madhe do të na ndihmojnë të luajmë edhe më mirë.

A është mërzitur Leao për zëvendësimin e së dielës?

Është mirë dhe nuk duhet vlerësuar për një ndeshje të vetme. E kam parë në formë dhe të qetë. Për mendimin tim nuk ka asnjë lloj problemi apo ngarkese emotive. Milanist prej një jete.

Cila është ndeshja juaj e preferuar?

Duke përjashtuar finalet, unë veçoj Milan-Mançester Junajtid e luajtur në “San Siro”, e cila përfundoi 3-0. Është një nga ndeshjet që kujtoj më mirë dhe që më ka emocionuar më së shumti.

Ndiheni i ndryshuar që nga ardhja juaj te kjo skuadër?

Ky është sezoni i tretë për mua dhe ka pasur situata që më kanë ndihmuar të thelloj njohuritë e mia dhe të zgjeroj përvojën. Ka ndryshuar mënyra e punës dhe interpretimi i situatave. Normalisht ndihem i ndryshuar, më i mirë, por edhe me të njëjtën dëshirë për të dhënë maksimumin për këtë fanellë.

REINOLD BAKALLI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"