“Nuk do të luaja me Shkëndijën edhe për 1 milion euro”, kapiteni i Vardarit ndez rivalitetin me shqiptarët
Lufta për titullin kampion mes ekipit shqiptar të Shkëndijes së Tetovës dhe Vardarit është ndezur më shumë se kurrë. Dy pretendentët për kurorën e futbollit maqedonas ‘’do të ndeshin brirët’’ ditën e diel në orën 13:00 në kuadër të javës së 18-ë të kampionatit.
Në prag kësaj sfide, kapiteni i Vardadit Filip Gaçevski ka menduar të ndezë para kohe përballjen me kampionët në fuqi të Maqedonisë. Në një prononcim për median e Maqedonisë së Veriut ‘’Lajmi’’, portieri slloven tregon se nuk do të luante kurrë për kuqezinjtë edhe nëse do t’i ofronin 1 milionë euro pagë.
Ndërkohë, ai foli dhe për dy futbollistët më të mirë të Shkëndijes Agim dhe Besart Ibrahimin. ‘’Normalisht, të dielën duam një tjetër fitore. Ne jemi Vardari dhe jemi të vetëdijshëm se çfarë ndeshje na pret. Nuk bëjmë llogari, ne kemi qëllimin tonë dhe për atë qëllim luajmë.
Për Shkëndijën nuk kam kurrfarë mendimi, ata janë kandidatët kryesor për titullin kampion, ashtu sikur kanë qenë dhe në këto 4-5 vite të fundit. Për Shkëndijën nuk dua të flasë shumë, vetëm mund të them se kanë ekip të mirë.
Asnjë lojtar i tyre nuk më frikëson. Vetëm mund të them se Agimi dhe Besart Ibraimi janë futbollistë të shkëlqyer. Vitet e fundit portalet gjatë gjithë kohës shkruajnë për duelin mes mua dhe Besart Ibraimit.
Nuk di çfarë të them. Mund të them se jam i gatshëm dhe i përqëndruar tek ekipi im dhe në fund të shohim kush do të gëzohet unë ose Besarti.
Sinqerisht nëse do të më bënte ndonjë ofertë Shkëndija dhe të më jepnin 1 milion euro do ta refuzoja. Unë jam i Vardarit, Vardari më ka dhënë shumë, jam kapiten i ekipit dhe edhe njëherë e them: asnjëherë në jetë nuk do ta bëja një gjë të tillë”, bën me dije kapiteni slloven i Vardarit.
Dy sezonet e fundit kanë parë Shkëndijen të triumfojë ndaj rivalëve direkt maqedonas në garën për titullin kampion. Kuqezinjtë drejtohen nga Ernest Gjoka, ish-trajneri i Flamurtarit, Vllaznisë, Kamzës dhe Kukësit.
Edhe pse kampionët shqiptarë renditen në vendin e dytë me 7 pikë më pak se Vardari, optimizmi për të përsëritur një tjetër sezon të suksesshëm është i lartë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"