“Nuk do ta harroj golin e Nexhipit në derbi”, Frashëri: Mund ta eliminojmë Kukësin, ende nuk kam bërë pritjen më mbresëlënëse

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2020 | 22:50

“Nuk do ta harroj golin e Nexhipit në derbi”, Frashëri: Mund ta eliminojmë Kukësin, ende nuk kam bërë pritjen më mbresëlënëse

Teuta do me patjetër trofe për 100-vjetorin. Zona “Euro” mund të arrihet edhe nga kampionati, e megjithatë këtë vit jubilar durrsakët duan ta festojnë me një kupë. Dhe që të realizohet ky mision, fillimisht duhet të kalojnë pengesën me emrin: Kukësi. E lehtë nuk do të jetë dhe këtë e di fare mirë Stivi Frashëri, i cili ka luajtur te verilindorët. Megjithatë, portieri beson te kualifikimi. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” ai flet për shumëçka. Zbulon sekretet e kësaj ecurie të mirë, por na rrëfen edhe golin më të sikletshëm që ka pësuar në karrierë.
frasheri

Teuta dhe vetë Frashëri po shkëlqejnë post-pandemisë. Çfarë ka ndikuar?
Edhe pse kaluam një periudhë shumë të vështirë për shkak të pandemisë, të gjithë kemi punuar shumë në mënyrë individuale. Gjatë izolimit kemi ndjekur udhëzimet e stafit, që kontrollonte çdo ditë mënyrën e stërvitjes së gjithkujt. Dhe me sa po shohim, rezultatet po na shpërblejnë lodhjen në atë kohë të vështirë.

Duket se keni gjetur veten në Durrës…
Është e vërtetë. Ndihem shumë mirë dhe mbi të gjitha i vlerësuar dhe i përkrahur nga të gjithë, pa përjashtim. Por, ajo që më ka pëlqyer më shumë të Teuta është puna e palodhshme e profesor Rizvanit, të cilin gjej rastin ta falënderoj në veçanti. Dhe nëse stërvitesh në maksimum e me detaje për të rregulluar gabimet më të vogla, atëherë rezultati do të jetë pa diskutim pozitiv.

Planet për të ardhmen cilat janë?
Unë kam një kontratë me Teutën dhe jam i fokusuar për të bërë më të mirën këtu. Interesime ka si brenda ashtu edhe nga jashtë vendit. Nëse diçka me vlerë dhe konkrete do të vijë, gjithmonë nëse bëhet fjalë për të dalë nga kampionati shqiptar, do të ishte gjëja më e mirë për mua personalisht.

Po pësoni pak dhe po shënoni shumë. Duket sikur ekipi është çliruar në të dyja fazat e lojës…
Ekipi që në startin e kampionatit ka pësuar pak, pa marrë parasysh 1-2 ndeshje jo të mira, që mund t’i ndodhë kujtdo. Këtu ka meritë reparti i mbrojtjes në tërësi dhe fakti që po arrijmë të shënojmë shumë,
duhet vlerësuar. Kjo, pasi është më e lehtë të mbrohesh sesa të shënosh. Mua personalisht po më pëlqen loja që po zhvillojmë dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm.
Goli i Kukesit ndaj Bylisit logo
Të enjten luani me Kukësin, a keni forca t’i eliminoni kuksianët?
Kukësi është një ndër ekipet më të mira momentalisht. Është një sfidë që duhet vlerësuar në maksimum. Ndeshjet e Kupës së Shqipërisë kanë një specifikë të ndryshme nga kampionati. Shpresojmë të bëjmë maksimumin për të kaluar në finale.

Ju e njihni mirë kundërshtarin, pasi keni qenë pjesë etij. Si mposhtet Kukësi?
Vërtet që jam një “ish” në këtë sfidë, por Kukësi është një ekip i ndryshëm tërësisht nga ai i kohës sime. Kam besim dhe shpresoj shumë që të vazhdojmë me mënyrën e lojës dhe ritmin që kemi momentalisht. Nëse e bëjmë këtë, atëherë besoj që do t’ia dalim.

Keni shumë miq te Kukësi dhe një ndër ta është edhe drejtori Nderim Nexhipi. E keni “ngacmuar” ndopak këto ditë, ndonjë “SMS” për t’ia thënë tani publikisht?
E prisja një pyetje të tillë! Siç e përmendët dhe ju, kam vërtet shumë miq te Kukësi dhe një ndër ta është edhe Nderim Nexhipi. I kam marrëdhëniet e mira me të gjithë. Mesazh? Nuk kam asnjë për ta thënë publikisht (qesh).
pejic
Cili është sulmuesi më i vështirë që keni hasur në karrierë?
Çdo sulmues ka cilësi dhe mënyrë loje të veçantë, por për t’u veçuar ka qenë Pero Pejiç. Ai ka qenë vërtet për t’u pasur frikë.

Pritja më mbresëlënëse dhe goli që nuk do ta harroni kurrë?
Pritja më mbresëlënëse akoma nuk ka ndodhur. Do të jetë gjithmonë ajo e radhës, deri në momentin që do të kem mundësi të luaj. Por, goli që nuk do të harroj kurrë është ai i Nderim Nexhipit në minutën e parë të derbit Tirana-Partizani.

Luani në dy fronte për Europën. Nga cila rrugë mendoni se Teuta do ta arrijë zonën e UEFA-s?
Jemi në një situatë shumë komode, e arritur kjo me shumë mund. Për mua personalisht, gjëja më e mirë do ishte të hynim në të dyja frontet njëkohësisht, të forconim pozitat në vendin e 3të dhe pse jo në fund të këtij viti të na buzëqeshë fati me një trofe. Do doja shumë të fitonim Kupën e Shqipërisë për të festuar në mënyrën më të mirë të mundshme edhe 100-vjetorin e klubit.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"