“Nuk do prishem me Pepin për një deklaratë”, Klop: Vjet humbëm për… 11 milimetra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2019 | 18:54

“Nuk do prishem me Pepin për një deklaratë”, Klop: Vjet humbëm për… 11 milimetra

Trajneri i Liverpulit, Jyrgen Klop, ko menton superndeshjen e së dielës kundër Mançester Sitit gjatë një interviste për “Sky Sports”.

jyrgen klop

Trajneri i Liverpulit prek edhe njëherë debatin në distancë me Guardiolën pasi trajneri i Mançester Sitit e akuzoi sulmuesin senegalez si simulues dhe thotë se në “Anfield” skuadra e tij do të luajë për fitore dhe jo për të mos humbur.

Sa e rëndësishme është përballja Liverpul-Siti për fatin e kampionatit?

Nuk e di. Jemi në javën e 12-të, kështu që ka edhe shumë ndeshje përpara. E dimë për situatën e Sitit vitin e kaluar, kur ne humbëm vetëm një ndeshje dhe ajo rezultoi vendimtare në fund. Ndoshta kështu e shohin njerëzit, por ne duhet t’i luajmë të gjitha ndeshjet. Periudha më intensive e vitit është nëntori, dhjetori dhe janari kështu që ne duhet të jemi gati për ato ndeshje.

Çfarë lloj ndeshjeje prisni?

Këto vitet e fundit ne si skuadra kemi pasur shumë respekt ndaj njëra-tjetrës. Ne të gjithë duhet të bëjmë një plan për një ndeshje dhe në këtë rast duhet ta bëjmë ndaj një prej ekipeve më të mira në botë. Luajmë në shtëpi dhe sezonin e fundit luajtëm një takim në shtëpinë e tyre të cilën e humbëm për 11 milimetra (në këtë distancë e ndaloi topin mbi vijën fatale Stons), ndryshe do të kishim një tjetër barazim. Dy skuadra me shumë cilësi luajnë përballë njëratjetrës, kështu që unë pres një tjetër sfidë të ngushtë.

A është kjo një ndeshje që nuk duhet humbur?

Ndoshta ka njerëz që janë më të zgjuar se unë dhe e shohin kështu, por unë jo. Për mua është 100% një ndeshje që ne duam ta fitojmë, me të gjitha çfarë kam. Për të përgatitur një përballje si kjo, duhet të bësh gjithnjë gjënë e duhur, të tregohesh i zoti, të luash futboll, të mbrosh duke dhënë jetën. Ne duam të fitojmë, do të provojmë gjithçka që ta bëjmë të ndodhë. Sezoni nuk përfundon pas kësaj ndeshjeje, por është shumë e rëndësishme, e dimë këtë. E gjithë bota do të na shohë. Të gjithë mezi po e presin.

Çfarë mendoni për cilësimin e Manesë nga Pep si një talent në simulim?

Unë jam ekzaktësisht në të njëjtën situatë si ai. Neve na bëhen vazhdimisht pyetje dhe ndonjëherë ne themi në atë sekondë atë që mendojmë, pa menduar asgjë tjetër se jemi në publik apo përpara një kamere. Ai e shpjegoi mirë, duke thënë se kur u flet fëmijëve të tij, kështu ndodh. Mund të jetë një penallti ose jo dhe ky është një diskutim që ata e bënë në shtëpi. Jam totalisht në rregull me këtë. Kam shumë respekt për Pep Guardiolën.

skysports-jurgen-klopp-klopp-liverpool-klopp-guardiola_4104322

E njoh prej një kohe shumë të gjatë dhe për mua është një nder i madh që jam rivali i tij. Për mua, ai është trajneri më i mirë në botë dhe ne kemi shansin për të fituar ndaj skuadrës së tij, e cila është shumë e vështirë. Sigurisht që deklaratën e tij nuk mund ta lësh plotësisht pa një koment, por mua nuk më intereson. Kaq mjafton për të shkruar përpara ndeshjes. Nuk është nevoja ta bëjmë më të madhe. Respekt dhe gjithçka tjetër do të vendoset në fushë.

A do t’i ndryshonte planet e Sitit mungesa e Edersonit në portë?

Nëse ai nuk do të luante, do t’i ndryshonte. Ederson është një pjesë e rëndësishme e lojës së tyre. Klaudio Bravo mund të bëjë gjëra të ngjashme, por unë pres që Ederson të luajë me 100%.

Në “Anfield” të dielën do të ketë edhe një tifoz special, sepse rikthehet Shon Koks pas riaftësimit. Është fantastike.

Shpresoj ta takoj për të qenë i sinqertë. Nuk jam i sigurt nëse do të jetë e mundur, por është e mrekullueshme. Kanë qenë 18 muaj të vështirë për familjen, atë dhe shokët. Tani ai po rikthehet dhe është me të vërtetë diçka e bukur.

Në dhjetor do të luani dy ndeshje me ekipe të ndryshme në harkun e 24 orëve, në Kupë dhe Botëror. Është prioriteti juaj Botërori i klubeve?

Nuk jam i sigurt nëse i japim këtij turneu përparësi, është thjesht ai kompeticioni që vjen më parë. Ne ndërtuam një plan dhe duhet të kishim një skuadër për Botërorin prej shumë kohësh. Djemtë ishin të karikuar të luanin atje. Nuk është shansi i fundit i jetës, por nuk ndodh shpesh që të fitosh Ligën e Kampioneve.

Pas tij na u desh të luanim në Kupën e Ligës, por ne e dinim që do të ishim pjesë e Botërorit në Katar që në maj. Kemi dy ndeshje dhe nuk mund ta bënim në një tjetër mënyrë. Vetëm në Angli nuk e konsiderojnë një turne të rëndësishëm. Në pjesën tjetër të botës ata e shohin si kompeticion. Ne jemi Liverpuli, një markë ndërkombëtare kështu që duhet të bëjmë atë që ne duam dhe tifozët duan. Në Kupë nuk e dinim nëse do të kualifikoheshim, sepse Arsenali ishte një kundër.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"