“Nuk do e pranoja kurrë një ofertë nga Tirana”, mesfushori i Partizanit: I kemi mundësitë për Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2020 | 22:12

“Nuk do e pranoja kurrë një ofertë nga Tirana”, mesfushori i Partizanit: I kemi mundësitë për Europën

Uilliam Kordeiro Melo u afrua te Partizani në merkaton e verës dhe nga ajo që ka dhënë në fushë, braziliani ka rezultuar si goditje në shenjë. Melo pas largimit me polemika nga Kukësi firmosi kontratë 1-vjeçare me opsion rinovimi edhe për sezonin pasardhës. Edhe pse mesfushori e ka thënë shpesh se kontrata me Partizanin i skadon më 30 qershor, pritet që në mënyrë automatike të aktivizohet opsioni i rinovimit, pasi ai pëlqehet nga drejtuesit e klubit.

PARTIZANI

Në një komunikim me ndjekësit e tij në “Instagram”, braziliani i të kuqve u është përgjigjur pyetjeve të ndjekësve, ku ka folur për kontratën aktuale, synimin për pjesën e mbetur dhe për të ardhmen. Pyetjes nëse një nga lojtarët më të mirë të skuadrës, do të jetë pjesë e Partizanit në sezonin e ardhshëm, Melo iu përgjigj: “Do të luaj me skuadrën deri në përfundim të kontratës. Do të mundohemi që së bashku me shokët e skuadrës të sigurojmë një vend për në Ligën e Europës. Unë do ta përmbush kontratën time deri më 30 qershor”.

Por ai e lë të hapur rinovimin me “demat e kuq”. Pyetjes se a do të ishte i gatshëm të pranonte rinovimin me Partizanin, 26-vjeçari iu përgjigj: “Është kënaqësi të luaj këtu me të kuqtë”. Melo është provokuar duke e ngacmuar me një kalim të mundshëm te rivalët bardheblu, po ai është treguar kategorik duke mos e tradhtuar Partizanin. Pyetjes se, nëse do t’i vinte ndonjë ofertë nga Tirana, a do ta pranonte, Uillim Melo i është përgjigjur: “Kurrë”.

PRONONCIMI NË BRAZIL

Pas hapjes së lajmit se më 18 maj nisin përgatitjet e skuadrave shqiptare në terren, mesfushori i Partizanit është kontaktuar nga mediat në Brazil për ta pyetur për situatën ku ndodhet dhe synimet që ka me Partizanin në pjesën e mbetur, duke ditur se aktualisht kampionët në fuqi janë jashtë Europe. “Ne e kemi luajtur ndeshjen e fundit më 9 mars. Kanë kaluar më shumë se dy muaj që stërvitemi individualisht në shtëpi përmes videokonferencave. Nuk ka qenë e lehtë, por e kam menaxhuar duke qenë i fokusuar dhe ndihem në formë të mirë.pARTIZANI

Besoj se me dy javë stërvitje në terren do të jemi të aftë të bëjmë një punë të mirë dhe të rikthehemi që të luajmë në fund të muajit. Ne jemi vetëm tri pikë larg vendit të tretë dhe gjashtë pikë distancë nga vendi i dytë, pozicione këto që të garantojnë pjesëmarrjen në Ligën e Europës në sezonin 2020-2021. Duke ditur se janë edhe 10 ndeshje për t’u luajtur, besoj se ne i kemi të gjitha kushtet për të luftuar dhe për t’u rritur në renditje, në mënyrë që të sigurojmë një vend për në Kupat e Europës”, u shpreh Melo.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"