“Nuk bëjnë naze, i boshatisin pjatat”, nga makaronat te frutat e detit, shikoni si ushqehen te Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2020 | 9:36

“Nuk bëjnë naze, i boshatisin pjatat”, nga makaronat te frutat e detit, shikoni si ushqehen te Flamurtari

Ndryshe nga klubet e tjera të elitës, Flamurtari e zhvilloi minifazën dimërore në Vlorë. Ekipi u grumbullua në një nga hotelet buzë detit në zonën e Skelës, ndërsa stërvitjet i ka zhvilluar në fushën sportive në Pyllin e Sodës dhe në një nga palestrat e qytetit. E megjithatë, kjo zgjedhje nuk i limitoi lojtarët nga rregullat strikte, regjimi apo dhe trajtimi ushqimor. Për të na zbuluar më shumë rreth menysë speciale, “Panorama Sport” ka intervistuar kuzhinieren e hotel “Bologna”, Violeta Saliaj. Ajo tregon se asnjë nuk i bën naze ushqimit, teksa në fund të vaktit pjatat janë të gjitha bosh. Nga frutat e detit, makaronat e furrës, e deri tek ëmbëlsirat, janë pjatat më të zakonshme në tavolinën e kuqezinjve në këto ditë “ngujimi”.


flamurtari

Zonja Saliaj, si nis dita për Flamurtarin?

Futbollistët e Flamurtarit që janë grumbulluar në hotelin tonë, zbatojnë me korrektësi rregullat e vendosura nga drejtuesit e tyre. Në orën 7:30 ata zbresin poshtë te restoranti për të ngrënë mëngjesin. Në orën 13:00 është orari i drekës dhe në orën 19:00 darka.

Cila është menyja, mund të na zbuloni diçka më shumë?

Mëngjesi është banket. Lojtarët i kanë të gjitha që te veza, bulmeti, moltot, frutat dhe lëngjet e frutave. Mund të marrin e të hanë çfarë duan. Dreka është e bollshme. Sallata është e pandashme. Gatuajmë makarona të bardha me gjalpë, një ditë tjetër me salcë, fruta deti, djathtë i grirë, fileto pule, pure patate dhe në fund nga një banane. Ndërsa në darkë u servirim sallatë jeshile ose të përzierë. Supe me mish, shoqëruar edhe me biftek, djathë të bardhë. Dhe në fund ëmbëlsirë.

Po ndonjë gatim të veçante a ju kanë kërkuar?

Jo, hanë ato çfarë u bëjmë ne. Por, për t’ua gjetur edhe pak midenë, u bëjmë edhe ndonjë gjë ndryshe. I pyesim, pasi ka raste që disa nuk duan oriz, por makarona. U kemi bërë edhe makarona furre, por edhe patate në furrë me kofsha pule. Pra, duam që ata të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe t’ua zëvendësojmë sado pak nënat.

Po brazilianët, mes tyre edhe trajneri Troisi, kërkojnë ndonjë gjë ekstra, apo ndonjë gjë që nuk duan?

Jo, jo. Hanë çdo gjë. Nuk kanë asnjë pretendim.

Po ndonjë lojtar tjetër nazeli në të ngrenë, mund të na zbuloni?

Nuk ka, nuk bëjnë naze. Në fund të gjithë i dorëzojnë pjatat bosh dhe na falënderojnë, ne ndihemi të kënaqur. Ka ndodhur me raste që kemi pasur për drekë apo darkë edhe dy ekipe dhe kanë ngrënë së bashku, Flamurtarin dhe Orikumin. Kanë harmoni mjaft me njëri-tjetrin lojtarët e të dyja ekipeve.

E.Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"