“Nuk bëjmë llogari, thjesht do të fitojmë ndeshjet tona”/ Dede: Vlerësim Lushnjës, kjo kategori është dinake

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2022 | 9:04

“Nuk bëjmë llogari, thjesht do të fitojmë ndeshjet tona”/ Dede: Vlerësim Lushnjës, kjo kategori është dinake

Dinamo e rifillon sot kampionatin, pas ndërprerjes disajavore për shkak të Botërorit. Blutë presin Lushnjën në stadiumin “Selman Stërmasi”, në një ndeshje të lehtë në letër.

NEVIL DEDE

E megjithatë, ndryshe e sheh Nevil Dede. Trajneri kërkon seriozitet në fushë nga të tijtë, sepse Kategoria e Parë e quan pak “të pabesë”. Kryeqytetasit nuk kanë të gatshëm Eni Imamin dhe Ersil Ymerin të dëmtuar, si dhe Alisio Preloshin të skualifikuar prej kartonit të kuq që mori me Besën.

GJENDJA Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, tekniku e komenton kështu gjendjen e skuadrës para këtij 90-minutëshi: “Përgjithësisht grupi është në gjendje të mirë, ka punuar mirë gjatë kësaj kohe. Nuk janë Ymeri dhe Imami, si dhe Preloshi për kartonë, pjesa tjetër gëzon një formë të mirë. Nëse lojtarët bëjnë atë që kanë treguar në stërvitje dhe në ndeshjet miqësore, kam besim se do të shkojmë te fitorja. Ulje ritmi nga ndërprerja e kampionatit? Jo, nuk besoj. Ne jemi munduar që skuadra të jetë në gjendjen e saj më të mirë, por gjithçka do ta shohim më mirë në ndeshje. Fusha do të flasë më qartë”.

LUSHNJA Kundërshtari i sotëm nuk është ai që përfaqëson emri që mban. Lushnja është në pozita të vështira, por Dede bën apel për përqendrim dhe kujdes maksimal. “Lushnjën e kam parë, mendoj se duhet respektuar si çdo kundërshtar. Unë përsëris atë, të cilën e kam thënë që në fillim: duke respektuar çdo skuadër, ne do të respektojmë veten. Prandaj, dua të jemi seriozë në fushë. Kategoria e Parë pastaj është pak dinake, pak e pabesë, krijohen disa situata të vështira kur nuk e mendon, ndaj dhe dua që të bëjmë punën tonë si duhet. Lushnja ka nevojë për pikë dhe do të luftojë me të gjitha mundësitë e saj. Pastaj, ndaj Dinamos çdo skuadër mundohet të japë maksimumin e saj”, thekson trajneri kryeqytetas.

LLOGARITË Janë edhe 3 ndeshje deri në fund të këtij viti kalendarik dhe Dinamo mund të marrë e vetme kreun, duke ditur që Flamurtari këtë javë luan në Berat. Megjithatë, 47-vjeçari kërkon vetëm që skuadra të bëjë detyrën e saj, të tjerat pak rëndësi kanë. “Nuk dua të bëj llogari për tri ndeshjet që kanë mbetur nga ky vit. Nuk do të ishte korrekte të them që do të marrim kaq apo aq pikë. Ne thjesht duhet të fitojmë ndeshjet tona, të bëjmë detyrën tonë, rivalët mund të gabojnë, siç ata presin që ne të gabojmë. Së pari të kalojmë me sukses Lushnjën dhe pastaj të mendojmë për dy ndeshjet e tjera. Duke bërë ne punën tonë siç duhet, edhe kreu do të vijë”, ka përfunduar numri një i pankinës së kryeqytetasve.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"