“Nuk bëhet fjalë për huliganë, kemi menaxhuar edhe Shqipëri-Serbi”, shefi i “security” flet për finalen Roma-Fejnord

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2022 | 23:01

“Nuk bëhet fjalë për huliganë, kemi menaxhuar edhe Shqipëri-Serbi”, shefi i “security” flet për finalen Roma-Fejnord

Na ndajnë 8 ditë nga ndeshja finale dhe eventi i madh që do të zhvillohet në Tiranë, ku Roma dhe Fejnordi do të ndajnë trofeun e Ligës së Konferencës.

Naim Dani

Të dyja ekipet kanë një tifozëri të zjarrtë dhe ajo çka është e rëndësishme në këtë përballje është siguria. Në ditët e fundit kemi dëgjuar që një numër tepër i lartë mbështetësish do të zbarkojë në kryeqytet duke kaluar edhe kapacitetet.

Por për këtë UEFA është përgatitur dhe një nga kompanitë e “security” që do të menaxhojë ndeshjen është edhe “BBS Security” me administrator Naim Danin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai shpjegon punën dhe përgjegjësinë që do të ketë kompania e tij në mbarëvajtjen e kësaj finaleje.

Përshëndetje z.Dani. Kompania “BBS Security” që ju administroni është pjesë e eventit që do të zhvillohet më 25 maj në “Air Albania”. Si është eksperienca juaj në këtë pjesë?

Ne jemi një kompani private, “BBS Security”, kryesisht të fokusuar për ruajtjen dhe menaxhimin e eventeve sportive. Kryesisht ato të futbollit, por kemi edhe ato të volejbollit, basketbollit, mundjes dhe evente të veçuara siç është boksi. Këtu mund të përmend Florian Markun, i cili menaxhohet nga ne. Nga futbolli menaxhojmë Superioren, Kategorinë e Parë, të Dytën, moshat më poshtë.

Ju keni marrë përsipër edhe sigurinë në ndeshjet derbi në të cilat atmosfera është disi e nxehtë mes tifozëve, por sa ndryshe është këtë herë?

Unë nuk kam mbajtur vetëm ndeshjet derbi, por edhe ato ndërkombëtare, siç janë ato me Serbinë dhe Izraelin e mund t’ju them se derbi nuk më hyn në sy, duke e krahasuar me përmasat e ndeshjeve të tilla. Por ky event ka të veçantat e tij pasi është për herë të parë në Shqipëri dhe është i përmasave shumë të mëdha, që i kalon kufijtë e menaxhimit në Shqipëri. Pastaj e treta dhe më e rëndësishmja është që janë shumë aktorë në lojë, që po punojnë për atë ditë të madhe.

Sa persona ka kompania juaj të angazhuar në këtë event?

Ne kemi marrë ruajtjen që në 14 maj dhe do të vazhdojmë me këtë standard. Këtu në stadium nuk mund të futet askush pa pasur një bexhë, të dhënë nga UEFA. Ne do të vazhdojmë me këtë ritëm deri në datën 25 në mesditë dhe pastaj vijnë 560 forca të cilat menaxhojnë aktivitetin, që nga ora 14:30 deri në orën 24:00 sepse varet nga ndeshja sepse mund të shkojë me shtesë apo me penallti.

Ju do të vendoseni brenda në stadium apo jashtë tij?

Ka dy lloje rrethimesh në stadium për një aktivitet. Ka rrethimin e jashtëm ose numër 1 që është Policia e Shtetit, e cila do të bëjë kontrollin e njerëzve dhe të biletave vizuale. Ne kemi rrethimin e dytë dhe më kryesorin, që do të bëjmë kontrollin e biletave, atë të personave, hyrjen në stadium, çekimin e biletave në katin e parë dhe të dytë që përfundon me hyrjen në stadium. Të gjithë çfarë përmbledh pjesa e gardhit deri në fushën e blertë është përgjegjësi jona.

Ju kemi parë në disa video që vazhdoni stërvitjen dhe trajnimet…

Për momentin i kemi mbyllur sepse jemi angazhuar këtu tani. Unë pas eksperiencës që kalova, sepse isha i ftuar nga UEFA tri ditë në Itali për ndeshjen Roma-Lestër, dhe atje pashë gjithë organizimin e një eventi sportiv. Pas eksperiencës ne bëmë një takim të fundit këtu me UEFA-n. Dje folëm me 40 përgjegjësit e mi ose supervizorët, siç i quan UEFA, dhe tani çdo gjë është shtrirë në damarët e përgjegjësitë e tyre.

Jeni në dijeni se çfarë tifozësh pritet që të vijnë, duke qenë se kanë precedentë jo të mirë, sidomos ata holandezë?

Nuk bëhet fjalë për huliganë. Bëhet fjalë për 700 persona nga Roma që janë mbi mesataren e tifozit dhe dikur te 400-500 nga Fejnordi që janë mbi mesataren e tifozit. Ne patëm takim me delegacionet dhe oficerët e sigurisë së Fejnordit e të Romës na kanë dhënë këto informacione për këta lloj tifozësh.

Doni të thoni se i kanë përzgjedhur tifozët?

Po, ata kanë bërë një përzgjedhje në momentin që kanë dhënë biletat edhe nga adresat dhe emrat u kanë dalë se kanë marrë 700-800 nga Roma dhe 400-500 nga Fejnordi.

Kjo është në letër, por i druheni ndonjë surprize?

Surprizat janë të mirëseardhura, nuk kemi se çfarë t’u bëjmë, për këtë punë do të jemi aty. Ne kemi marrë të gjitha masat që eventi të shkojë normalisht, edhe për ndonjë incident të mundshëm kemi disa grupe rezervë që janë të gatshme për ndërhyrje. Policia e Shtetit do të ketë forca në çdo hyrje, kështu që masat janë marrë. Pastaj për çdo gjë shtesë do të marrim masat tona.

Si do të ndahet siguria e tifozëve?

Gjërat janë të ndara. Ka shumë aktorë dhe që në aeroport e merr përsipër Policia e Shtetit me atë Bashkiake, për grumbullimin e tifozëve, për transportin. Janë marrë masat që edhe tifozët të udhëtojnë me autobusë të veçuar. Edhe këtu në Tiranë kur të vijnë, besoj i dini “Fan Zone” se ku do të jenë, Pedonale dhe te Liqeni. Edhe parkingjet e tifozëve duhet të jenë të ndara nga njëra-tjetra.

Po siguria rreth stadiumit?

Më datë 24 në darkë këtu do të mbyllet çdo gjë. Të paktën me urdhrin që është dhënë deri tani. Do të vendoset rrethimi i jashtëm me skela 2 metra dhe merret në ruajtje stadiumi. Në datën 25, në orën 18:00, fillon hyrja e tifozëve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"