Nuancat e një votimi politik, faktorët që sollën zhgënjimin e Dukës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2017 | 11:49

Nuancat e një votimi politik, faktorët që sollën zhgënjimin e Dukës

Nga ERMAL KUKA

Armand Duka i është afruar dje një arritjeje aq të rrallë, sa edhe historike për sportin shqiptar, pjesëmarrjes në një prej tavolinave më të rëndësishme të futbollit botëror, siç mund të cilësohet pa dyshim prania në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. I futur në garë me bekimin e Ceferin, atij i munguan pak vota për të prerë finishin, për arsye të cilat jo detyrimisht kishin të bënin direkt me të.

duka1

PERËNDIMI KUNDËR LINDJES

Brenda UEFA-s ekzistojnë ndarjet në bllokun e Perëndimit dhe atë të Lindjes. Një vit më parë, vota lindore arriti të impononte vullnetin e saj falë mbështetjes së vendeve skandinave për të emëruar Aleksandër Ceferin si president. Duke e cilësuar frymë të re në një institucion që kishte vuajtur “diktaturën” e Platinisë, edhe Perëndimi iu bashkua sllovenit. Por vota e djeshme tregoi një bllok të pandarë që votonte për Perëndimin dhe kishte kthyer trendin edhe në Lindje. Mes 8 fituesve në zgjedhje, vetëm turku Jardimçi u bë pjesë e Ekzekutivit, si i fundit mes atyre që “kalonin vijën”.

Prania në Ekzekutiv e një përfaqësuesi nga Ukraina, Hungaria, Bullgaria dhe Kroacia duket ka shtyrë Perëndimin të rimarrë kontrollin e situatës. Dje, 5 anëtarë të Ekzekutivit, të gjithë nga vendet perëndimore, morën më shumë vota se Ceferin një vit më parë, duke kthyer në “pushtet” shtetet klasike si: Suedia, Italia, Gjermania, Anglia e Holanda.

AGRESIVITETI I CEFERIN

Presidenti i ri vazhdon të shfaqet agresiv ndaj “UEFA-s së vjetër”, siç e cilësoi edhe në fjalimin e tij dje në hapjen e Kongresit. “Reformat nuk do të bëhen fshehtazi me vendime në skuta të errëta”, tha ai. Kjo duhet të ketë qenë një kambanë alarmi për shumë pjesëtarë me ndikim të “UEFA-s së vjetër”, të cilët vazhdojnë të jenë ende pjesë e strukturave të institucionit. Ndaj, miqësia me Ceferin në këtë rast e ka bërë menjëherë Dukën “armik” të kësaj shtrese dhe një armë më pak për votimet e djeshme.

PLATINI DHE ALEANCAT E VJETRA

Duka ka qenë në grupin e mbështetësve më të zjarrtë të Mishel Platinisë në UEFA, duke bërë edhe lobing për të në rajon kur ai uli nga froni Johansonin. Kjo e bëri pjesë të aleancave që kishte lidhur francezi me segmente të caktuara në UEFAs apo me Federata. Largimi i Platinisë shpërbeu këtë aleancë. Vetë Duka braktisi një aleat historik si Vijar për Ceferin dhe sigurisht që vota e spanjollit dhe grupit të tij të ndikimit ka pak gjasa të jetë hedhur në favor të kreut të FSHF-së.

LOBIMI I NJË VENDI TË VOGËL

Çfarë mund t’u ofrojë Shqipëria vendeve anëtare të UEFA-s që të votojnë për të? Kjo ka qenë një nga pengesat e mëdha për Dukën. Nëse shtetet e mëdha premtojnë të tërheqin vota qoftë edhe me seminare apo kurse edukimi për administratat e vendeve të vogla në strukturat e tyre moderne, FSHF nuk mund ta bëjë një gjë të tillë (zakonisht pret të tilla). Ndaj platforma e Dukës u bazua vetëm tek organizimi i futbollit vendas dhe pjesëmarrja në EURO 2016, shumë pak për të bindur shtete, të cilat shpeshherë nuk ngurrojnë të kërkojnë diçka konkrete për të justifikuar votën e tyre.

Edhe lobimi i muajve të fundit ishte më shumë i orientuar drejt “votave të sigurta” dhe për t’i ruajtur ato. Fakti që Duka nuk vjen direkt nga “fushat me baltë”, shton skepticizmin te një grup i caktuar drejtuesish federatash, të cilat janë të parimit që futbolli u përket njerëzve të futbollit.

KAOSI I FUTBOLLIT SHQIPTAR

Njolla që i dha Skënderbeu imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, ndonëse nuk ka qenë faktori kryesor i humbjes së votimeve, ka ndikuar te disa federata. Emri i kampiones së Shqipërisë tashmë përmendet në çdo seminar që ato zhvillojnë kundër trukimeve dhe fakti që Duka nuk u distancua asnjëherë nga korçarët mund ta ketë dëmtuar në këtë aspekt.

“Autoritetet lokale nuk bënë asgjë”, është fraza që përsëritet vazhdimisht nga zyrtarët e UEFA-s që u morën me atë çështje. Këtu përfshihen edhe zyrat e FSHFsë, të cilat qëndruan në heshtje të plotë, siç bëjnë edhe sot. Me një UEFA të riorganizuar me objektiv luftën kundër trukimeve, Duka duhej ta kishte kuptuar që heshtja e zakonshme këtë radhë nuk do t’i bënte punë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"