Novi nuk pret çudira ndaj Skënderbeut, por një ndeshje dinjitoze. Rikuperohet një mbrojtës dhe dëmtohet një mesfushor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2020 | 13:48

Novi nuk pret çudira ndaj Skënderbeut, por një ndeshje dinjitoze. Rikuperohet një mbrojtës dhe dëmtohet një mesfushor

Neritan Novi nuk pret çudira ndaj Skënderbeut, e megjithatë qartazi e thotë që skuadra do të bëjë të pamundurën për të mos dalë duarbosh nga ky 90-minutësh. Në deklaratën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri shprehet se Luftëtari do të përpiqet që të bëjë paraqitje dinjitoze. “Kemi përballë ekipin më të mirë të viteve të fundit dhe me një grup të kompletuar, të cilët u bënë kohë që luajnë bashkë. Skënderbeu ka një nga trajnerët më të mirë në kampionatin tonë, për të mos thënë më i miri.

vllaznia-luftetari-e1593966654768

Këtë e them për të treguar vështirësinë e këtij dueli. E megjithatë, ne jemi përgatitur që nesër (sot) të nxjerrim një lojë të mirë. Nuk është se do të bëjmë çudira, por mendoj që me grupin e lojtarëve që kam, do të futemi në fushë për të bërë një ndeshje dinjitoze”, tha fillimisht numri një i pankinës gjirokastrite. Humbja e fundit me Laçin është hedhur pas krahëve dhe e gjithë vëmendja në kampin bluzi është e fokusuar te korçarët, kundërshtar i javës së 34-t të Kategorisë Superiore.

Trajneri nuk e humb besimin tek të tijtë, e megjithatë nuk ngurron që t’u japë edhe disa këshilla. Ai pret që të zbarojnë detyrat dhe të luajnë thjesht, asgjë më tepër. “Në të tilla kushte, vështirë të motivohesh. E rëndësishme është që lojtarët e mi të zbatojnë detyrat që unë u kam caktuar. Të luajnë futboll thjesht dhe pastaj t’ia lëmë fushës rezultatin”, tha tekniku i bluzinjve.Futbollistet e Luftetarit

Dëmtimi pak minuta para përfundimit të seancës së të enjtes i Kliti Qatos (mesfushori me tipare shkatërruese) ka detyruar stafin teknik që të riformatojë mesfushën. E megjithatë, lajm i mirë është rikuperimi në kohë i mbrojtësit të djathtë Redon Dragoshi. “I vetmi lojtar i dëmtuar për momentin është mesfushori Kliti Qato, ndërsa Redon Dragoshi është i gatshëm për këtë 90-minutësh. Gjithsesi, do të shoh gjendjen e tij para se të vendos. Mungesa më e madhe pastaj, është ajo e tifozëve”, përfundoi Novi.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"