“Novi boll me prova”, apeli i legjendës gjirokastrite: Aktivizo ata që stërviten seriozisht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2020 | 22:19

“Novi boll me prova”, apeli i legjendës gjirokastrite: Aktivizo ata që stërviten seriozisht

Kur kanë mbetur edhe 3 javë nga ky kampionat, Luftëtarit nuk i mbetet gjë tjetër veçse ta mbyllë me dinjitet. Matematikisht janë të rënë dhe motivimi është i vështirë, e megjithatë Theodhori Kalluci pret një sforco finale nga gjirokastritët.

Kalluci

Ish-trajneri i bluzinjve në sezonin 1993-1994, teksa analizon këtë sfidë për “Panorama Sport”, nuk ngurron që të japë një këshillë për ekipin. “Luftëtari nuk ka çfarë të humbasë ndaj Skënderbeut. Ta lërë mënjanë mendjemadhësinë e të luajë thjesht dhe qetë”, u shpreh fillimisht “Mjeshtri i Sportit”.

Ai mendon se skuadra i ka mundësitë që të bëjë mirë ndaj 8 herë kampionëve të vendit, ndonëse të vështirë do të ketë mjaft. E megjithatë, pret që këtë herë stafi teknik të mos bëjë më prova me 11-shen dhe të hedhë në fushë futbollistët që janë më në formë.

“Ndaj Skënderbeut që kërkon një vend në Kupat e Europës, Luftëtari s’do ta ketë të lehtë. Kundërshtari ka një ekip të mirëpërgatitur në planin tekniko-taktik dhe në këtë këndvështrim, e shoh të vështirë marrjen e një rezultati pozitiv. Ne kemi një skuadër të re dhe pa eksperiencën e duhur për të përballuar kualitetet e korçarëve. Një tjetër arsye që më shtyn të them se do të jetë e vështirë për Luftëtarin, është edhe mungesa e një objektivi të qartë.

Futbollistet e Luftetarit

Një skuadër e rënë nga kategoria e ka të pamundur të motivohet. Skënderbeu vërtet është me mendje nga Gjykata e Lozanës, por vendi i tretë i duhet, pasi askush nuk e di fundin e gjyqit. Trajneri Neritan Novi të aktivizojë lojtarët që janë më në formë, pra ata që stërviten seriozisht çdo ditë. Prova ka bërë mjaft”, përfundoi Kalluci.

PËRGATITJET – Luftëtari vijoi përgatitjet për javën e 34-t, me një seancë të zhvilluar pasdite në Fushën e Vjetër. Grupit në orën 18:30 iu bashkua dje edhe mbrojtësi Redon Dragoshi, ndonëse punoi i veçuar nga pjesa tjetër. Lojtari i linjës së djathtë është në proces rikuperimi, pas atij dëmtimi muskulor që e la jashtë ndaj kurbinasve. Prej së martës nuk është as portieri Sadik Basha nën urdhrat e përgatitësit të portierëve, i grumbulluar në “zborin” e 19-vjeçarëve të Kombëtares së Nevil Dedes.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"