NOTAT, TIRANA/ Batha një “pit bull”, Muça surpriza e bukur. Ja vlerësimi i bardhebluve në ndeshjen ndaj Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Dhjetor 14, 2019 | 21:54


NOTAT, TIRANA/ Batha një “pit bull”, Muça surpriza e bukur. Ja vlerësimi i bardhebluve në ndeshjen ndaj Partizanit

Tirana mundi me shifrat 1-2 Partizanin në derbin e djeshëm dhe “Panorama Sport” ju sjell notat për bardheblutë dhe trajnerin Manuel Egbo.

tirana fitore

LIKA 6 – Iu desh t’i gjuanin tri herë radhazi për t’i shënuar atë gol, që ishte edhe pozicion jashtë loje. Më pas ngre murin, lexon si duhet aksionet dhe orienton shokët e prapavijës. Lider i heshtur.

albi doka

DOKA 6 – Kërkues nga fillimi deri në fund. Lufton me personalitet dhe shtyn mjaftueshëm përpara. Eviton gabimet sepse edhe kontaktin me topin e ka më të shkurtër. Eviton pasimet e gjata që dikur i gabonte shpesh dhe nuk kalon në aventurë kur sulmon. Në rritje.

VANGJELI 6,5 – Ishte frika e madhe në prapavijë pas eksperiencës si qendërmbrojtës në derbin e parë. Por këtë herë i bëri detyrat shumë mirë. Eksperiencë, qetësi dhe thjeshtësi. Udhëhoqi mbrojtjen si dikur te Skënderbeu.

MUÇA 6,5 – Surprizë e bukur paraqitja e tij. I qetë, i vendosur dhe i palëkundur nga ndonjë gabim që bën në fillim të pjesës së parë. E rrit nivelin e lojës në pjesën e dytë dhe përmirësohet edhe taktikisht, duke i lexuar mirë aksionet.

Muca

HOXHALLARI 6,5 – Grintë pa hesap, por këtë herë vendos të heqë dorë nga iniciativat e guximshme për të sulmuar kur i do qejfi. Jo, këtë herë bëhet njësh me skuadrën dhe luan thjesht.

ÇELHAKA 7 – Djaloshi luan thjesht, por vrapon si i çmendur. Dhëmbë për dhëmbë me një “bishë” si Romero dhe në fund triumfon ai. Tërhiqet shpejt, rrëmben topa dhe del shpejt në sulm. I thjeshtë, por i nevojshëm.

idi batha

BATHA 7,5 – Një “pit bull” i lëshuar nga zinxhirët. Rrëmben topa, dhuron shkelma, ndërton aksione. Dhe nuk lodhet kurrë… Ndeshja më e mirë që kur vesh fanellën e Tiranës, jo vetëm sepse shënoi, por sepse luajti si lider: thjesht dhe me zemër.

KOBINAH 7,5 – Gol, shtyllë, dribling dhe sa shumë lëvizje pa top. Ishte mbrëmja e tij, edhe pse ndonjëherë “i fik motorët”. Por dje i bëri të gjitha mirë dhe në fund vulosi fitoren. Mund ta kishte shmangur atë të kuq në këto kohë të trazuara për Tiranën.

TORASA 7 – Ishte rikthyer ai i kohëve të vjetra. Pasime të çmuara, topa të fituar dhe “luftë” për çdo centimetër me kë t’i dalë përpara. Aksionet e Tiranës janë të shpejta dhe të befasishme, pikërisht sepse lindin nga këmbët e tij. Shpresëdhënës. (Nga min 93′ Imami – Pa notë).

HALILI 6,5 – ka meritën që rrëmbeu topin që solli golin e parë të Tiranës. Më pas vrapon shumë, përpiqet t’i japë thellësi skuadrës, por ndonjëherë del jashtë detyrave taktike dhe spostohet shumë në qendër. I lëvizshëm, kërkues, por i duhet më shumë vendosmëri dhe qartësi.

ernest muci

(Nga min 67′ Muçi 7 – “Gjysma” e golit të Kobinës i takon edhe atij. Ai galopim i frikshëm dhe ajo diagonale vrastare nuk janë rastësi. Thjesht i duhen pak më shumë minuta. Cilësor).

NGO 6,5 – Lufton si mundet, shërben si mundet, por nuk dorëzohet asnjëherë. Nuk mund të thuash se është qendërsulmuesi tipik, sepse tërhiqet shumë në thellësi, por tërheq gjithnjë dy ose tre rivalë rreth vetes dhe kjo i jep avantazh numerik Tiranës kur del në sulm. Lufton shumë, por shërbehet keq.

egbo

Trajneri Emanuel Egbo 7 – Ka meritën e tij në këtë ndeshje, jo sepse bëri ndonjë shpikje taktike, por sepse i dhuroi pak qetësi dhe pak besim një ekipi që derbi kishte filluar t’i bëhej makth. Zëvendësimet i bëri mirë dhe ky po që është një element tjetër për t’u vlerësuar.

/PANORAMASPORT.AL/




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com