NOTAT, SHQIPËRIA/ Trashi frymëzues, Abrashi si motor. Gjasula “spartaku” i Kombëtares, Roshi i çmuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2019 | 23:47

NOTAT, SHQIPËRIA/ Trashi frymëzues, Abrashi si motor. Gjasula “spartaku” i Kombëtares, Roshi i çmuar

Shqipëria fitoi me shifrat e thella 0-4 ditën e djeshme në transfertën ndaj Moldavisë, ndërkohë që “Panorama Sport” ju sjell notat për lojtarët në fushë dhe trajnerin Edi Reja.

moldavi shqiperi

STRAKOSHA 6 – Spektator. Gjuajtja e parë në kuadrat i erdhi në minutën e 85-të. Sa për të tjerat menduan mbrojtësit dhe mesfusha.

VESELI 6,5 – Shtyn shumë përpara dhe mbron ashpër, pavarësisht fytyrës prej djaloshi “të butë”. I saktë në të gjitha veprimet mbrojtëse, por duhet të kalibrojë më mirë këmbën në pasime.

ISMAJLI 6,5 – Topi i parë nis gjithnjë nga ai dhe gjithçka e menduar mirë. Gradualisht spostohet në mesfushë dhe lexon në mënyrë perfekte çdo tentativë te moldavëve. I shkëlqyer në luftën në ajër dhe i zgjuar në manovrat taktike. Fantastik. (Nga min 88-të Kumbulla – Pa notë).

DERMAKU 6,5 – Një gjigant i pakalueshëm. Duket i rilindur me Ismajlin dhe Gjimshitin në krah. I kujdesshëm në mbulim dhe eviton gjithmonë eksperimentet e guximshme me topin në këmbë. Solid.

GJIMSHITI 6,5 – Është lideri i mbrojtjes. Mbron mirë, shtyn dhe organizon prapavijën si një profesor i vërtetë. Autoritar, i guximshëm në depërtime dhe i aftë të mbajë situatën nën kontroll kur Shqipëria humb topin. Gjigant.

TRASHI 8 – Gol që në debutim. Por jo vetëm kaq. Topa të rrëmbyer, agresiv në mbulim dhe sa shumë personalitet në daljet në sulm. I vëmendshëm gjithë kohës dhe kërkues. I zoti me topin në këmbë dhe i shpejtë në manovrat sulmuese. Një frymëzim për të gjithë djemtë e rinj që luajnë në kampionatin shqiptar.

ABRASHI 7,5 – Shiriti i kapitenit e transformoi. Për mirë natyrisht. Është rikthyer “motori i mesfushës”. Bën çfarë i do qejfi, jo vetëm kur duhet të prishë aksione, por arrin edhe të vallëzojë në mbrojtjen moldave si një brazilian. Vrapon sa për tre dhe shtyn përpara si i çmendur. I frikshëm.

BARE 7,5 – Gol dhe shtyllë. Jo vetëm kaq, sepse manovra e Kombëtares orientohet nga ai. I zgjuar, i fortë dhe i shpejtë në mendim. Rrëmben topa, shërben për shokët dhe ka klas mbi mesataren e një lojtari të rolit të tij. E ardhmja është e sigurt me fierakun. (Nga min 88-të Selahi – pa notë).

bare

GJASULA 8 – Lufton sa për tre, shërben si fantazist dhe mendon shpejt. Është fenomenal në leximin e aksioneve të kundërshtarit, por mbi të gjitha për saktësinë e pasimeve dhe shpejtësinë me të cilën e bën këtë. Njeriu i ndeshjes. Thjesht i shkëlqyer “spartaku” kuqezi.

CIKALLESHI 8 – Shënon sërish ai. Pak me fat, por kujt po i bëhet vonë. E meritoi atë gol sepse luftoi tërë ndeshjen, vrapoi në çdo cep dhe nuk u la asnjë pikë referimi vendësve. Është në formë fizike dhe psikologjike të jashtëzakonshme. Shpresëdhënës. (Nga min 76-të Roshi 7 – I mjaftojnë edhe 14 minuta për të dhënë asistin e golit për Manajn. I çmuar).

manaj cikalleshi

MANAJ 8 – Detyroi katër kundërshtarë që të marrin të verdhë dhe të luajnë me frikë. Luajti si gjysmë sulmues dhe si fantazist. Numri 10 në fanellë i shkonte shumë. Mori faulle të çmuar, krijoi hapësira për Cikalleshin dhe stërmundoi rivalët duke lëvizur pa pushim. Në fund goli me finte ishte thjesht qershia mbi tortë.

Trajneri Edi Reja 7,5 – Një fitore spektakolare në transfertë nuk është asnjëherë e zakonshme për Shqipërinë. Luajmë mirë, kemi ide, kemi skuadër të rinovuar dhe shumë personalitet në fushë. Tani mund të thuhet se kjo është skuadra e tij, e fortë dhe e bukur.

edi reja

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"