NOTAT/ Shkëlqejnë Lilaj e Soue ndaj Dinamos, trajneri Daja arkitekti i fitores historike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2017 | 18:32

NOTAT/ Shkëlqejnë Lilaj e Soue ndaj Dinamos, trajneri Daja arkitekti i fitores historike

Notat e “Panorama Sport” për lojtarët e Skënderbeut, pas fitores 3-2 ndaj Dinamo Kiev.

skenderbeu

SHEHI 6 – I pafajshëm te dy golat e Dinamos, sepse në të parin nuk funksionoi tentativa për “ofside” e mbrojtjes, ndërsa në të dytin shokët e prapavijës menduan se ndeshja kishte mbaruar.

VANGJELI 6 – Taktikisht perfekt. Ndihmoi sa mundi Gavazajn në fazën sulmuese, ndërkohë që në mbrojtje ishte gjithnjë i vëmendshëm. Vuajti në minutat e fundit për shkak të lodhjes.

ALITI 5 – I pavëmendshëm te goli i parë, por ka meritën që nuk e humbi toruan dhe, pas atij “blofi” me pozicionin jashtë loje, mundi që të rriste lojën e tij. I shpejtë dhe ambicioz.

RADAS 6 – Nuk ka më moshë të pësojë gola si ai në fund të ndeshjes dhe as të drithërojë në minutat shtesë. Lufton si luan në mbrojtje dhe, për pak, gjen golin nëse portieri i tyre nuk do ishte treguar akrobat. “Profesori” i prapavijës.

MICI 6 – Luan thjesht, edhe pse në krahun e tij ukrainasit sulmojnë më shpesh, sidomos në pjesën e dytë. Goli i parë nis nga këmbët e tij, sepse arrin më shpejt se rivali te topi dhe pasoi si duhet për Souenë që ia dha topin Xhejmsit. Ndeshje e mirë.

Dynamo's Nikita Korzun (R) fights for the ball with Skenderbeu's Sabien Lilaj (L) during the UEFA Europa League Group B football match between KF Skenderbeu and FC Dynamo Kiev at the Elbasan Arena stadium in Elbasan on November 23, 2017. / AFP PHOTO / Gent SHKULLAKU (Photo credit should read GENT SHKULLAKU/AFP/Getty Images)

GAVAZAJ 6 – Në pjesën e parë bie në sy me manovrat që ndërmerr në krah, por mbi të gjitha me faktin që tërheq pas vetes dy ose më shumë kundërshtarë. Në të dytën kujdeset vetëm të mos gabojë taktikisht dhe nuk zhgënjen. I duhet pak më shumë iniciativë dhe kthjelltësi në sulm. (Nga min 71′, TAKU – Përshtatet mirë në lojë, por hyn në momentin kur Dinamo po bënte presing të lartë dhe iu desh më shumë të mbronte).

MUZAKA 7 – Hajde kuptoje futbollin kur sheh një anësor si ky që shkëlqen në qendër të mesfushës, madje edhe në këtë moshë. Gjetje speciale e Dajës dhe tiranasi jep gjithnjë e më shumë siguri.

LILAJ 8,5 – Të mos guxojë kush të thotë që goli ishte me fat… Djaloshit vërtet i eci disi në atë gjuajtje, por po ta shohësh se çfarë arrin të bëjë në fushë, edhe me dorën në allçi, atëherë bindesh se është i lindur për atë rol.

OSMANI 7 – I palexueshëm për kundërshtarët. Një digë e vërtetë para mbrojtjes, por shërben mirë kur Skënderbeut i duhet të dalë para. Bën presing mbi organizatorin e ukrainasve dhe, ndonëse nxitohet me ndonjë pasim të shpejtë, gjithsesi nuk e humb toruan.

soue

XHEJMS 8 – Më në fund e dërgoi topin në rrjetë, por në fakt ajo e djeshmja ishte një ndeshje fantastike për të. Sakrifikoi pa masë në mesfushë dhe mori përsipër shumë aksione. Në pjesën e parë bëri presing të ashpër që në vijën e parë, kurse në të dytën u lodh dhe mendoi vetëm për shpërthime sporadike.

SOUE 8,5 – Asist për golin e Xhejmsit dhe, më pas, shënon edhe vetë. Fantastik sulmuesi nga Gambia që tregoi edhe njëherë se është një pikë referimi. Kalendari nuk e ka lodhur, madje duket sikur punon me naftë për energjitë që ka…

daja

TRAJNERI DAJA 8 – Fitore e madhe kundër më të mëdhenjve të grupit. Në një stadium bosh… Skuadra e tij është e bukur për t’u parë, por mbi të gjitha ka besim dhe mentalitet fituesi. Goli i shpejtë i barazimit i ndihmoi pa dyshim, por gjithsesi treguan se luajtën sipas një filozofie të qartë dhe asgjë nuk është rastësi. Detajist i fiksuar, por me rendiment.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"