NOTAT, JUVENTUS/ Shkëlqen Dibala, Ronaldo një “magnet” në të majtë. Sarrin e nderon “ushtari” i besuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2019 | 22:26

NOTAT, JUVENTUS/ Shkëlqen Dibala, Ronaldo një “magnet” në të majtë. Sarrin e nderon “ushtari” i besuar

Juventusi fitoi dje me shifrat 1-2 “derbin e Italisë” përballë Interit, ndërkohë “Panorama Sport” ju sjell notat për lojtarët bardhezinj.

juventus

Shezni 6.5 – Tregohet perfekt ndaj Lautaros në pjesën e parë dhe sidomos ndaj Vesinos në sekondat finale. Shumë i sigurt dhe i saktë në dalje, pas goditjeve standarde dhe i përpiktë. Shtylla e “puth” në pjesën e parë.

Kuadrado 6.5 – Një sprinter në korsinë e djathtë. Ofron një shtysë të fortë në korsinë e djathtë, por ofrohet shumë shpesh edhe në fazën ofensive si sulmues anësor. Intensitet dhe ritëm i frikshëm gjatë 97 minutave.

Bonuçi 6.5 – Shumë i zoti në përplasjet një kundër një ndaj Lukakut në pjesën e parë. Madje, natën e djeshme iu desh shpesh të bënte një dopiodetyrë duke mbyllur edhe “gropat” që linte De Ligt. Ndeshja prej kapiteni.

De Ligt 5 – Prekja absurde me dorë i dhuron penalltinë Interit, në momentin më të mirë të Juves në pjesën e parë. I ndrojtur në daljet me topin dhe në ndërhyrje. Në pjesën e dytë përmirësohet, por nuk jep asnjëherë De Ligt garanci.

de ligt

Aleks Sandro 6 – E nis shumë keq. I pasaktë, i shpërqendruar dhe ndëshkohet menjëherë. Por në pjesën e dytë vendos të nxjerrë në fushë cilësitë e tij më të mira dhe shpëton një ndeshje që kishte nisur në mënyrë të frikshme.

Khedira 6 – Pak inkursione drejt zonës së Interit, por shumë i vëmendshëm në mesfushë. Provon gjithmonë që të luajë topin me të parën dhe kombinon mirë me Kuadradon. Gjithsesi, ndeshje normale për një “profesor”…

Pjaniç 5 – Ndeshja madhështore. Pasimi milimetrik për Dibalën, por edhe dominimi total në mesfushë, sepse ishte i pari për topa të luajtur, topa të rikuperuar, dyluftime të fituara, por edhe për pasime të sakta.

Matuidi 6 – Impenjimi nuk i mungon asnjëherë në fushë, ndonëse detyra e djeshme ishte ajo që të mbulonte sa më shumë Ronaldon. E kap me vonesë ritmin e ndeshjes, por pasi e bëri këtë nuk u ndal deri në sekondën e fundit.

Bernardeski 4 – 22 topa të prekur dhe 9 të humbur. Mjafton kaq për të kuptuar se ka qenë thjesht inekzistent në fushën e lojës. Konfirmohet ende jashtë skemave të lojës që kërkon dhe ka ideuar për atë trajneri Sarri.

Dibala 10 – Pas katër minutash lojë gjeti një të majtë magjike, e cila kap në befasi Handanoviçin. Lëviz në mesfushën e Interit duke ndërruar shpesh pozicionet me Ronaldon. Për një natë ishte Dibala i vërtetë.

dibala ronaldo

Ronaldo 6.5 – Një traversë i mohon golin pas 9 minutash lojë, por edhe VAR-i e dënon për faj të Dibalës. Është një magnet në korsinë e majtë dhe Handanoviç iu desh që të bënte edhe dy pritje madhështore ndaj tij.

Bentankur 6.5 – Në minutën e 62-të merr vendin e Khedirës dhe në mënyrë surprizë Sarri e sposton prapa dy sulmuesve. Dhe uruguaiani përveç presingut të fortë e shpërblen trajnerin e tij edhe me asistin për Higuainin.

Higuain 7.5 – Sërish dhe gjithmonë ai. Në “San Siro” e vendos sërish “Pipita”, ashtu sikurse bëri dy vite më parë. Zbret në të 62-ën me një dëshirë të çmendur dhe nëntë minuta nga fundi vendos heshtjen në stadium.

Emre Xhan 6 – Në të 71-ën merr vendin e Dibalës dhe ofron menjëherë soliditet në mesfushë. Fiton disa goditje dënimi të rëndësishme në zonën rivale. Ndoshta Sarri është bërë pishman që e ka lënë jashtë listës Champions.

Mauricio Sarri 7.5 – Ideja e ndryshuar në momentet e fundit, pra ajo e të luajturit pa një pikë referimi në repartin e sulmit, ku me Gonzalo Higuainin titullar Juventusi do të ishte i detyruar që ta shërbente sa më shumë, me “Pipitan” që ndoshta do të ndihej shumë i vetmuar përpara e shpërblen totalisht. Pikërisht kështu, sepse zgjedhja e Dibalës jo vetëm e nderon, por edhe numri 10 interpreton në mënyrë fantastike ndeshjen, pozicionin “pa busull” në fushë dhe mbi të gjitha “shpon” shumë shpejt duart e Handanoviçit. Në të njëjtën kohë, me Dibalën dhe Ronaldon edhe mbrojtja zikaltër shpërndahet më lehtë, pasi i duhet gjithmonë që të ndjekë dy sulmuesit në çdo cep të fushës. Ndoshta, ishte zgjedhja e Bernardeskit ajo që nuk e shpërbleu. Por në momentin e duhur hodhi në fushë Higuainin dhe ‘ushtari’ i tij i besuar e shpërbleu me 2-1.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"