NOTAT| Java e parë e Kategorisë Superiore/ Kampionati nis zjarr, sa shumë skuadra ngelin në klasë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2021 | 22:45

NOTAT| Java e parë e Kategorisë Superiore/ Kampionati nis zjarr, sa shumë skuadra ngelin në klasë

NOTAT E SKUADRAVE SIPAS “PANORAMA SPORT”, PAS JAVËS SË PARË TË KATEGORISË SUPERIORE: 

pjimage (1)

VLLAZNIA 7.5- Shkodranët e kanë nisur vrullshëm sezonin, ku që në start arritën të thyejnë tersin e transfertës së Laçit. Pa dyshim ekipi tregoi forcën në fazën sulmuese, me 5 gola, ku spikatën afrimet e verës, kryesisht mesfushori Aralica. Kjo Vllazni premton lojë atraktive në sulm, por ka nevojë të riparojë gabimet në mbrojtje.

TEUTA 7.5- Kampionët në fuqi kanë ndryshuar shumë në përbërje, por jo në mentalitet dhe paraqitje. Ekipi i trajnerit Edi Martini e nisi sezonin e ri aty ku la të vjetrin, ku në premierë mposhtën një rival direkt si Partizani, duke treguar se cila është mbajtësja e kurorës.

TIRANA 7.5- Bardheblutë morën një fitore bindëse në premierë ndaj Skënderbeut, ku pa dyshim dalja me karton të kuq e Zguros ua bëri më të thjeshtë misionin. Rikthimi i Ngosë ka sjellë sigurinë në fazën sulmuese, si një pretendent serioz, por mbrojtja ka vend për riparime.

KUKËSI 7.5- Nën drejtimin e trajnerit Diego Longo, verilindorët janë kthyer në korsinë e tyre, duke lënë të kuptohet se paraqitja e vjetshme nuk do të përsëritet më. Kukësi ka bindur në çdo aspekt ndaj Egnatias, ku pa diskutim mënyra e lojës, qarkullimi i topit dhe manovra sulmuese e rendisin ekipin e Longos si pretendent serioz.

DINAMO 7.5- “Nëndetësja” rikthimin në Superiore pas nëntë viteve e ka përuruar me një fitore bindëse ndaj Kastriotit në transfertë. Dinamo tregoi se prurjet e verës do të lënë gjurmë, ku spikati 21-vjeçari Çinedu. Gjithsesi, dinamovitët thjesht kanë hedhur një hap dhe pjesa e dytë nxori në pah mangësitë që duhet të riparojë ekipi i Shkëmbit.


SKËNDERBEU 4- Korçarët e nisën si të barabartë përballjen me Tiranën, por dalja me të kuqe e kapitenit Zguro në fillim të pjesës së dytë i prishi ekuilibrat te skuadra e Memellit. Me një lojtar më pak Skënderbeu u shpërfytyrua, pozitive mbetet paraqitja në pjesën e parë.

KASTRIOTI 4- Fati i krutanëve u vendos që në “tunel”, pasi pësuan gol që në minutën e parë. Si skuadër e krijuar rishtas, Kastrioti ishte i mpirë në pjesën e parë. Zëvendësimet e bëra në pjesën e dytë i zgjuan krutanët, por ekipi duket se nuk e ka forcën e vitit të shkuar.

PARTIZANI 4- Skuadra e trajnerit Ilir Daja ia bëri vetes ndaj Teutës, pasi humbja erdhi nga gabimi i portierit Hoxha te goli i pësuar, si dhe nga mendjemadhësia e Zhuniorit te gjuajtja e penalltisë. Gjithsesi, Partizani ruajti “traditën” e 5 viteve të fundit duke e nisur sezonin me humbje. Ekipi krijon volum, por loja ishte e rrëmujshme.

EGNATIA 4- Me statusin e debutuesit, rrogozhinasit e kanë nisur aventurën në Superiore me një humbje në shtëpi. Përpos investimit të bërë nga drejtuesit, Egnatia pagoi gabimet ndaj Kukësit, kryesisht të portierit. Por, forca reale e ekipit do të shikohet pas fazës së parë.

Formacioni me i dobet superiore

LAÇI 4- Kurbinasit shkruan në verë historinë e klubit në Europë, por sezonin e ri e kanë nisur në mënyrën më të keqe të mundshme. Ndryshimi në pankinë nuk dha rezultat, pasi në paraqitjen e parë zyrtare me trajnerin Vukiçeviç, Laçi rezultoi katastrofë në mbrojtje.

PANORAMASPORT.ALA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"